Opozita shqiptare akuzon Qeverinë për mosmarrjen e datës në qershor për fillimin e negociatave me BE-në. Nënkryetari i Lëvizjes Besa Kastriot Rexhepi tha se pas dështimit për të marrë datë këtë muaj, nuk ka garanci se ajo do të ndodh brenda këtij viti.
“Maqedonia e Veriut për fat të keq nuk arriti të merr datën për fillimin e negociatave brenda këtij muaj, por ajo që është edhe me diskutabile, është fakti se nuk ka ende asnjë konfirmim se brenda këtij viti do kemi të sigurt marrjen e datës për fillimin e negociatave”, deklaroi Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Besa.
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët fajësojnë pushtetin për shtyrjen e afatit për marrjen e datës. Nga atje thonë se Qeveria dështoi në zbatimin e reformave të mirëfillta për kthimin e shtetit të së drejtës.
“Arsyet e refuzimit, qytetarët i kanë shumë të qarta. Ato kanë të bëjnë me dështimin total të pushtetit LSDM-BDI për të zbatuar reforma të mirëfillta për kthimin e shtetit të së drejtës, luftimin e korrupsionit dhe departizimin e administratës publike. Këto dështime janë konfirmuar në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian i cili thekson se niveli i korrupsionit në vend mbetet shqetësues ndërsa gjyqësori dhe administrata publike vazhdojnë janë të kapura nga politika”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ndryshe si Lëvizja Besa ashtu edhe ASH, pas dështimit të marrjes së datës në qershor, kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Përgatiti: Afrim Jonuzi
