Qetësohet situata me Covid-19 në Ohër dhe Strugë, vala e gushtit preku të rinjtë, disa përfunduan me pasoja fatale

TË FUNDIT

Në Ohër dhe Strugë situata me Covid-19 ka filluar të qetësohet. Këtë e thonë statistikat e fundit por edhe mjekët.
Valën e re të virusit Ohri e kaloi më lehtë nga vala paraprake e disa muajve më parë. Në valën e parafundit në Ohër ka pasur të hospitalizuar 160 persona të prekur me Covid -19, ndërsa në valën e fundit të muajit gusht ky numër ka qenë dyfish më i ulët.
Drejtori i spitalit Goran Baleski thotë se valën e re të virusit qyteti i Ohrit e ka kaluar me lehtësi e gjithë kjo pasi që qyteti i Ohrit është ndër qytetet me përqindjen më të lartë të të vaksinuarve, ndërsa pacientët e shtruar në spitalin e këtij qyteti kanë qenë 90% të pa vaksinuar.

“Tek ne të gjithë pacientët që kanë pasqyrë të rëndë klinike dhe të vdekurit mbi 90 përqind ishin të pa vaksinuar. Ne kishim një fat të madh që Ohri është mes qyteteve me përqindjen më të lartë të të vaksinuarve. Në fillim kur filloi procesi i vaksinimit ne si spital i përgjithshëm ishim të kyçur me kolegët në të gjithë rajonin bënim kampanjë që të gjithë të vaksinohen”, tha Baleski.

Situata është më e qetë edhe në spitalin e Strugës. Drejtori i spitalit Armend Asllani thotë se krahasuar me periudhën e kaluar kur kemi pasur në ditë nga 130 kontrolle në ditë tani ai numër ka rënë dukshëm. Sa u takon pacientëve të shtrirë ai thotë se 90% e tyre kanë qenë të pa vaksinuar.

“Në aspekt të vaksinimit gjithmonë deri tek 90 përqind të pacientëve të cilët janë hospitalizuar tek ne nuk kanë qenë të pa vaksinuar, ndërsa pjesa tjetër ka qenë e vaksinuar. Por gjithmonë në bazë të statistikave dhe analizave edhe me ekspertë tanë internist, infektologë dhe epidemiolog ne kemi arritur në një përfundim se ata që kanë qenë të vaksinuar kanë pasur pasqyrë të lehët klinike”, deklaroi Arsllani.

Gjatë muajit gusht në spitalin e Strugës kanë qenë mbi 50 pacientë të hospitalizuar nga infektimi me Covid-19. Ndërsa në Spitalin e Ohrit në muajin e kaluar ka pasur të hospitalizuar 52 pacientë. Në këtë spital siç tha mjeku ka pasur të hospitalizuar edhe mosha të reja. Sa u takon vdekjeve ata thonë se të gjithë ata që kanë humbur betejën me Covid-19 kane qenë të pa vaksinuar dhe me pasqyrë të rëndë klinike.