Pas rastit në Strugë me vrasjen e qenve endacak, vazhdojnë reagimet me kërkesën për zgjidhjen e këtij problemi në të gjitha komunat e vendit. Për zgjidhje gazetarët pyetën kryeministrin Dimitar Kovaçevski i cili fajin e hodhi tek komunat duke thënë që nuk kanë vullnet për zgjidhjen e kësaj çështje, ndërsa shtoi se ka mundësi që nëpërmjet fondeve IPA të ndërtojnë ndonjë stacionar shtetëror.
“Unë fola me Ministrin e Bujqësisë në takimin në Bruksel me sektorët adekuate që të flasim për një bashkëpunim të caktuar nëpërmjet fondeve IPA që të mundet të ndërtohet ndonjë model- strehimore që të mund të jetë një projekt shtetëror edhe pse nuk është në ingerencë të shtetit, duam t’ju ndihmojmë qytetarëve dhe komunave me ballafaqimin e këtij problem, sepse bëhet fjalë për një problem të madh por shoh që kryetarët e komunave aspak nuk merren me këtë problem”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Pas kësaj deklarate të Kryeministrit kanë reaguar nga Organizata për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi” ata thonë se nuk duhet para dhe Bukresli për të ndryshuar ligjin për mbrojtjen e kafshëve.
“Brukseli nuk është i nevojshëm dhe as para për ndryshimin e Ligjit për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve me procedurë urgjente! Prej vitesh jemi marrë me pasojat, mbulojmë simptomat, vriten kafshët, vuajnë qytetarët, shpenzohen para të mëdha, por nuk trajtojmë shkaqet, burimin e problemit – pronësinë e papërgjegjshme, riprodhimin dhe braktisjen! Në 10 raste “Anima Mundi” ka dorëzuar propozime për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për Mbrojtjen dhe Mirëqenien e Kafshëve, në përputhje me praktikat më të suksesshme të BE-së, të mbështetura nga parlamentarët e BE-së, të cilat vazhdimisht injorohen dhe të cilat përcaktojnë masa për kontrollin, shtypjen dhe kapërcimin e problemit”, thonë nga “Anima Mundi”.
Aktivistët mendojnë se qentë e rrugës janë në rrugë pikërisht nga faktori njeri, ndërkaq vrasjen e qeneve e cilësojnë një akt monstruoz.
“Ata qen të rrugës janë në rrugë pikërisht nga faktori njeri, përderisa nuk e kuptojmë se nga vetë faktori njeri janë këta qen në rrugë ne nuk ka shanse që të fillojmë ballafaqohemi me këtë problem dhe të gjejmë zgjidhje. Ligjet ekzistojnë por asgjë nuk funksionon, e shohim edhe aksionin e kryetarit të Komunës së Strugës të cilën deklaratë e dëgjova mbrëmë dhe mundohem që të gjejë ndonjë arsyetim se ndoshta nuk është e vërtetë kjo deklaratë”, pohoi Snezhana Billko, aktivist.
Ditë më parë në Strugë një person me pushkë vrau disa qen endacakë.
