“Qëndrimi bullgar mbetet i pandryshuar”/ Koshta: Personalisht do të angazhohem për problemet dypalëshe

TË FUNDIT

Kryeministri teknik i Bullgarisë, Dimitar Gllavçev, e ka porositur kryeministrit Hristijan Mickoski se Sofja nuk e ndryshon qëndrimin në lidhje me kriteret për eurointegrimin e vendit. Të dy morën pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel dhe siç tha Gllavçev, për çfarëdolloj dialogu mes dy vendeve, së pari duhet të ulet tensioni në deklaratat para opinionit.

“Gjuha e urrejtjes nuk duhet të përdoret. Duhet filluar me këtë që të mund të kemi dialogë të tjerë. Por qëndrimi ynë mbetet i njëjtë, siç thashë edhe dje, nuk ka ndryshim të qëndrimit, por le të fillojmë me sjellje të mirë europiane dhe tonalitetin e mirë europian që do të duhej të mbizotëronin mes një vendi-anëtar dhe një vendi-kandidat”, tha Dimitar Gllavçev.

Gazetarët bullgarë e pyetën kryeministrin e tyre në cilën gjuhë ka folur me Mickoskin.

 “Unë flas gjuhën bullgare, ai le të tregojë cilën gjuhë e flet”, tha Gllavçev.

Mickoski dje zhvilloi takim dypalësh me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kalas. Ia ka përcjellë frikët në rrugën drejt BE-së duke theksuar se në procesin aderues nuk guxon të ketë çështje dypalëshe që do ta kontestojnë gjuhën dhe identitetin. Pas Samitit, i pari i këshillit të BE-së, Antonio Koshta duke folur për kontestet dypalëshe mes vendeve anëtare dhe vendeve kandidate, theksoi se zgjerimi është investim gjeostrategjik.

“Çështjet dypalëshe nuk janë mënyrë të drejtë në procesin e aderimit dhe kjo duhet të shmanget. Personalisht do të angazhohem që të tejkalohen problemet dypalëshe”, deklaroi Antonio Koshta.

Në konkluzionet e Këshillit u theksua se Maqedonia duhet ta përshpejtojë procesin e ndryshimeve kushtetuese për ta vazhduar rrugën drejt BE-së. Megjithatë, ndërkohë vazhdojnë diskutimet me dyer të mbyllura në lidhje me mundësinë për një zgjidhje kreative për kërkesat e Shkupit që pas hapjes së Kushtetutës të mos ketë pengesa të reja për anëtarësimin tonë në Union.