Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski vazhdon të këmbëngulë se Qeveria duhet të përgjigjet se cilin prej dy propozimeve që i ka ofruar e zgjedh?! Rikujtoi Qeverinë që ndryshimet kushtetuese do t’i pranojë pasi të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian, ose në të kundërtën kërkon zgjedhje në vjeshtë.
“Dy opsione janë në tavolinë, kur të zgjedhin një prej këtyre dy opsioneve atëherë mund të hyjmë në fazën tjetër të bisedimeve. Do t’ua rikujtoj, prapaveprim kur Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së të vlejnë ndryshimet kushtetuese dhe e dyta, zgjedhje në vjeshtë. Tre data u ofruan në takim, 24 shtatori, 1 dhe 8 tetori dhe pastaj së bashku ti përmbushim ato tre shtylla”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski rikujtoi se i kanë hapur dyert që VMRO-DPMNE të bëhen pjesë e Qeverisë dhe kanë ndarë gjysmën e funksioneve për këtë parti. Kovaçevski ka frikë se me presion të Levicës, VMRO-DPMNE mund të tërhiqet.
“Konsideroj se ky është një vendim shumë i rëndësishëm për shtetin dhe se duhet ta bëjmë së bashku. Konsideroj se do të gjejnë forcë dhe mënyrë këtë ta bëjnë. E di se në një moment kishte dëshirë. E dini, ditën e parë pas takimit të liderëve më 7 qershor, pastaj më 8 qershor kishte tone disonante nga VMRO-DPMNE sa i përket interpretimit që pas dy tre ditëve, kjo nuk dua të besoj se është me presion të Levicës, përsëri të kthehen një hap prapa”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.
Përndryshe propozim iniciativa për ndryshime kushtetuese në fillim të muajit u dorëzua në Qeveri dhe do të shqyrtohet në periudhën në vijim. Pritshmëritë ishin që ndryshimet kushtetuese në mes të qershorit do të mund të futeshin në debat kuvendor dhe kështu do të nisnin afatet për ndryshimet kushtetuese.