Në komunën Qendër Zhupë për herë të dytë po mbahen zgjedhjet për kryetar komune, ndërsa në Mavrovë Rostushë për së treti herë. Këto dy komuna në zgjedhjet e rregullta lokale nuk arritën të kalojnë pragun zgjedhor për të pasur kryetar komune.
Shkak për mos arritje të pragut zgjedhor në Qendër Zhupë është largimi i popullsisë. Mbi 60 % e banorëve të kësaj komune jeton jashtë vendit, kryesisht në Itali. Pritet që tani prezenca e mërgimtarëve të sigurojë pragun e nevojshëm prej 2.385 votuesve.
Kjo komunë numëron 7154 votues të regjistruar, ndërsa në garë është vetëm një kandidat për kryetar komune.
Kryetari i KSHZ-së, Aleksandër Dashtevski duke u bazuar në fluksin e votimeve shpreson se kësaj radhe këto komuna do të kenë kryetar të zgjedhur.
“Unë besoj se votimi do të rrjedhë kështu në atmosferë të qetë dhe në mënyrë demokratike. 02.36- Këto rezultate na tregojnë se këtë herë do të kemi zgjedhje në këto komuna, por të presim deri sa të përfundojë procesi dhe të mund t’i shpallim rezultatet preliminare jo zyrtare“, theksoi Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.
Dashtevski deklaroi se në 3 qytetet ku po votohet, votimet kanë shkuar pa probleme.
“Diçka që është e rrallë është se kemi dal i gjithë Komisioni Shtetëror Zgjedhor në vend ngjarje, në terren kemi vizituar shumë vendvotime dhe konstatuam se votimi po vijon normalisht dhe në atmosferë të qetë dhe demokratike. Kishte disa lëshime të vogla teknike të cilat menjëherë janë rregulluar”, tha Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.
Në Mavrovë Rostushë në garë janë dy kandidatë, ndërsa kjo komunë numëron 9948 votues të regjistruar. Rezultatet preliminare jozyrtare pritet të publikohen jo shumë kohë pas mbylljes së vendvotimeve për shkak të volumit të ulët të votave që duhet të përpunohen.
