Qëllimi i Bullgarisë është i njëjtë me atë të Rusisë, Mickoski iu përgjigj akuzave të Sofjes zyrtare

TË FUNDIT

Kryeministri Mickoski e krahasoi sjelljen e Bullgarisë ndaj vendit tonë me atë të Rusisë ndaj Ukrainës. Një deklaratë e tillë erdhi pas kritikave dhe akuzave të ashpra të djeshme nga pala bullgare, nga ku Maqedonia u cilësua se ka qëndrim armiqësor, edhe pse kjo erdhi pas ministri bullgar për punë të jashtme Georg Georgiev e quajti Mickoskin kryeministër “maqedono-verior”.


“Nuk pres nga fqinji ynë lindor dhe nga kjo qeveri të dërgojë një mesazh ndryshe. Tani ata duhet para partnerëve tanë evropianë dhe partnerëve në NATO të dërgojnë një mesazh dhe të pasqyrojnë një mesazh me të cilin na akuzojnë neve, se jemi ne ata, por në thelb bota dhe Evropa e panë se cili ishte qëllimi i politikanëve bullgarë – që nuk ndryshon fare nga ai që ka udhëheqja ruse në Ukrainë, e ai është përpjekje për asimilim të popullit maqedonas dhe një lloj inxhinieringu identitar”, tha Mickoski.

Ai gjithashtu theksoi se Bullgaria me një sjellje të tillë nuk po e zbaton Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë, dhe siç tha, është bërë e qartë edhe cili është qëllimi i politikanëve bullgarë.

“Në vend që t’i zgjasin dorën Maqedonisë, në vend që të na mbështesin në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian – që në fakt është pjesë e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë – ata, siç po shihni, kanë një qëllim tjetër. Dhe është mirë që të gjithë arritën ta shohin, dhe është mirë që të gjithë tani tashmë e dinë se cili është qëllimi përfundimtar: që nuk ka të bëjë me disa qindra qytetarë maqedonas që të bëhen pjesë e Kushtetutës, por qëllimi është shumë më i thellë dhe shumë më i rrezikshëm edhe për vetë Evropën”, tha Mickoski.

Retorika midis Bullgarisë dhe Maqedonisë është ashpërsuar pas heqjes së identitetit dhe gjuhës maqedonase nga Raporti i Parlamentit Evropian, me kërkesë të eurodeputetëve bullgarë, pas së cilës ministri bullgar për punë të jashtme Georg Georgiev, duke iu drejtuar Mickoskit, përdori termin “kryeministri maqedono-verior”. MPJ-ja e Maqedonisë për këtë dërgoi një notë proteste, ndërsa kryeministri bullgar, Rosen Zhelyazkov, kërkoi që Mickoski të kërkojë falje.