Këto pamje janë nga qarkorja e Tetovës, e cila duhet ta lidhë autostradën A2 me rrugën rajonale Tetovë–Jazhincë. Ndërtimi i kësaj rruge ka filluar një vit më parë. Banorët e fshatit Trebosh gjatë verës përballen me pluhurin, ndërsa në ditët me shi me baltën dhe gropat. Rruga është dëmtuar në qershor dhe deri sot vazhdon të jetë në këtë gjendje. Gjatë ditës së sotme ishim në fshatin Trebosh të komunës së Zhelinës. Banorët, të revoltuar, pyesin se si po kryhen punimet dhe shprehen se nuk presin që rruga të përfundojë as për dy vitet e ardhshme.
“Çka të ju them, vetë e shihni sa dëm kemi. Ajo rrugë edhe dy vite nuk bëhet. Fshatin e dëmton me veturat, kurse bujqësinë njëqind për qind e dëmton. S’di çka bëjnë këta zotërinjtë në kolltukë. Bujqit prej saj jetojnë, e ka dëmtuar me bostan, me speca, me krejt. Ajo është turp. Para dy viteve s’ka gjasa të bëhet kjo. Turp për shtetin kjo. Dhe themi ne në Evropë!? Çfarë Evrope, ata e mbytën popullin.”
“Shihet sa pengon ajo, çka ka të bisedohet për atë rrugë. A erdhët kah ajo rrugë, a e patë si ishte? Askush s’vjen të sqarojë asgjë, vijnë vetëm kur kanë interes për votat dhe për të mirën.”
“Na bën shumë dëm. Tash vjen dimri; verës patëm probleme me pluhurin, tash vjen dimri, ka gropa dhe veturat na dëmtohen. Ka një vit që e kanë nisur, e kur do ta përfundojnë nuk e dimë.”
“Duhet, por unë nuk kam koment për atë; kot është. Askush nuk ka qenë, unë nuk kam dëgjuar se do të vijë dikush. Në vitin 2035 do bëhet, si kanë filluar ta bëjnë.”
Në një përgjigje me shkrim zv/drejtori i rrugëve shtetërore Tahir Tairi tha se punimet do të duhet të përfundojnë shumë shpjet.
“Po vazhdojnë punimet për ndërtimin e qarkores rrugore të Tetovës, e cila do të lidhë autostradën Shkup–Tetovë (A2) me rrugën rajonale Tetovë–Jazhincë (R1203). Qarkorja nis pranë fshatit Trebosh dhe përfundon pranë fshatit Neproshten, me një gjatësi totale prej 5.3 kilometrash. Qarkorja pritet të përfundojë së shpejti dhe të vihet në funksion, duke përmirësuar ndjeshëm lëvizjen dhe cilësinë e jetës në Tetovë. Si zëvendësdrejtor mbetem i përkushtuar që puna të ecë me ritëm të qëndrueshëm dhe me synimin e qartë për të përfunduar çdo segment në afatet e përcaktuara”, tha Tahir Tahiri.
Ndryshe qarkorja ka një gjatësi prej 5.3 kilometra dhe ndërtimi i saj do të jetë një ndihmë e madhe edhe për zonën ekonomike në Tetovë.
