Putini ndalon eksportin e naftës ruse në vendet që kanë vendosur çmim tavan

TË FUNDIT

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret që ndalon furnizimin me naftë të papërpunuar ruse për kompanitë dhe qytetarët e huaj që respektojnë kufirin e çmimit tavan prej 60 dollarësh për fuçi të vendosur nga aleatët perëndimor, i miratuar më 2 dhjetor.

Qeveritë perëndimore po synojnë kufizimin e çmimit të eksporteve të naftës ruse, si përpjekje për të kufizuar të ardhurat nga karburantet që e mbështesin buxhetin e Moskës, ushtrinë e saj dhe pushtimin e Ukrainës.

Ndalimi do të hyjnë në fuqi më 1 shkurt dhe do të mbeten në fuqi deri më 1 korrik, sipas dekretit të nënshkruar nga Putin më 27 dhjetor.

Dekreti nuk vlen vetëm për naftën, por edhe për produktet e naftës, megjithatë Qeveria do të përcaktojë veçmas datën nga e cila do të ndalohet shitja e këtyre produkteve me çmimin tavan.

Dekreti, i publikuar në një portal qeveritar dhe në faqen e internetit të Kremlinit, u prezantua si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj “veprimeve që janë jomiqësore dhe kundërshtuese me të drejtën ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare që u bashkohen atyre”.

Dekreti thotë se dërgesat e naftës dhe produkteve të naftës ruse për subjektet dhe individët e huaj “janë të ndaluara, me kusht që në kontratat për këto furnizime, të parashikohet drejtpërdrejt ose indirekt përdorimi i një mekanizmi maksimal të fiksimit të çmimit”.