Pushteti dhe opozita edhe sot me përplasje / LSDM: A do të përkulet Mickoski para Enver Hoxhës, njëjtë si Apasievi?

TË FUNDIT

Pushteti dhe opozita edhe sot vazhduan me përplasje. Nga LSDM-ja e akuzuan VMRO-DPMNE-në për paralajmërimin për koalicion të mundshëm me Levicën. Mickoski i hoqi të gjitha maskat e rrejshme të DPMNE-së duke e konfirmuar dëshirën për koalicion me ta. A do të përkulet para diktatorit Enver Hoxha siç bëri Apasievi, pyeti Darko Kaevski nga LSDM-ja.

“Të kota janë të gjitha njoftimet e DPMNE-së, deklarata e Mickoski i mbyti të gjitha këto. Mbetën pa përgjigje pyetjet se cilat janë vlerat e Mickoskit për të bërë marrëveshje me Levicën. Nëse janë këto vlerat e Levicës kundër NATO-s ose kundër BE-së, ose janë vlerat e diktatorit Enver Hoxha që do të jenë bazë e marrëveshjes mes Mickoskit dhe Levicës? A do të shkojë Mickoski vitin e ardhshëm që të përkulet para diktatorit Enver Hoxha siç bëri Apasiev?”, u shpreh Darko Kaevski nga LSDM.

Sipas opozitares VMRO-DPMNE, kërkesa që e hapën për shfuqizimin e qeverisë teknike, është tema për të cilën e akuzojnë LSDM-në. Kërkojnë që LSDM të marrë guxim dhe në zgjedhje të shkojë pa qeveri teknike dhe pa kryeministër shqiptar.

“Gjatë qeverisë teknike, përveç institucioneve jofunksionale, qytetarët nuk kanë asnjë përfitim tjetër. BDI, si strukturë më kriminale në shtet, nuk ka asnjë funksionar nga kjo parti që nuk është i përfshirë në korrupsion. Është turp për shtetin tonë që kryeministri teknik të jetë nga radhët e tyre. Në Maqedoni mund të ketë zgjedhje pa qeveri teknike dhe pa kryeministër teknik nga BDI. LSD duhet të marrë guxim dhe ta pranojë ofertën e VMRO-DPMNE-së”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Për kërkesën që të mos ketë qeveri teknike, nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani ka siguruar se qeveri teknike do të ketë dhe do të zbatohet marrëveshja me partnerin e koalicionit LSDM për kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit para zgjedhjeve. Ai thotë se për shfuqizimin eventual të qeverisë teknike, mund të mendohet në zgjedhjet e ardhshme. Përndryshe, pritet që në fillimin e muajit të ardhshëm të caktohet takim mes partive ku do të definohet data e zgjedhjeve, pas çka do të caktohet edhe data konkrete për zgjedhjen e Qeverisë së Përzhinës.