Është java e tretë me radhë që punëtorët e kulturës protestojnë për rritje page.
Kërkesa e Sindikatës së punonjësve të Ministrisë së Kulturës, Administratës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Agjencisë së Filmit është që t’u rriten pagat 30% pas rritjes së pagave të punonjësve në Ministrinë e Financave.
Kryetari i Organizatës sindikale në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Branko Kostovski, përsëriti se kërkesa e tyre e vetme është që të kenë paga dinjitoze, ndërkaq paralajmëroi se nuk do të ndalen dhe se do të ndërmarrin hapa më radikal.
“Gjatë kësaj jave tre organizatat sindikale do të merremi vesh cilat hapa më radikal do të ndërmarrim me qëllim të realizimit të kërkesave tona dhe kontributeve tona dhe me qëllim të rritjes së pagave tona.”- Branko Kostovski – Kryetar i SPOGJSH.
Kanë kaluar pothuajse dy javë, që kur punëtorëve të shëndetësisë iu premtua rritje page për dy dhe tre mijë denarë, por në këtë drejtim ende nuk ka asnjë lëvizje. Lubisha Karanfillovski, kryetar i Sindikatës së pavarur të Shëndetësisë tha se po presin dritë jeshile nga Ministria e Financave.
“Të punësuarit në shëndetësi do ta marrin rritjen e pagës si diferencë në pagë, a do të ndodh kjo në këtë muaj, apo kur të merret rroga e prillit, kjo ngelet të shohim si do të duket teknikisht dhe e volitshme edhe për pagesë, pra edhe për realizimin edhe për punëtorët.
Për momentin vonesë është vetëm për shkak të procedurave të nënshkrimit dhe publikimit të aneksit të marrëveshjes kolektive, që duhet të publikohet edhe në Gazetë zyrtare, mirëpo që të jetë në Gazetë zyrtare duhet që të merret pëlqimi i Ministrisë së financave.”- deklaroi Lubisha Karanfillovski – Sindikata e Shëndetësisë.
Si duket zyrtarët do të ngelin me rritjen prej 78% të pagave. Për vendimet e Gjykatës kushtetuese mund të drejtoheni vetëm në Gjykatë, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa sa i përket qeverisë, ne po punojmë për përpilimin e një ligji për pagat e të punësuarve, të cilët siç tha nuk kryejnë ndonjë funksion shtetëror.
“Paga na është lëshuar sipas ligjeve të vlefshme. Baza që merret për llogaritje gjithashtu është sipas ligjit dhe ministria e Financave e ka shpjeguar këtë. Ajo që po bën qeveria është të përpiluarit e një ligji për pagat, ku do të vendoset qasje konzistente e pagesës së rrogave në shtet dhe marrëveshje kolektive të përgjithshme ku do të vendoset mënyrë e strukturuar dhe konzistente e pagesës së rrogave për të punësuarit, të cilët nuk kryejnë funksione shtetërore.”- Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Rritjen e pagave të zyrtarëve e mundësoi Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi të shfuqizojë dy nene të ligjit për pagat dhe shtesat e zyrtarëve, kështu që kjo vlen për të funksionarëve, zëvendësministrave, kryetarëve komunave, drejtorëve, si dhe të gjithë gjyqtarëve, përfshirë edhe ata të Gjykatës Kushtetuese për 78%.
