Pulmologu Shahini ngre alarmin për kancerin e mushkërive! Apelon te Ministria e Shëndetësisë të bëhet skrining i gjerë

TË FUNDIT

Reparti i Pulmologjisë pranë Qendrës Klinike në Shkup po përballet me një numër të madh pacientësh të hospitalizuar, situatë e cila, sipas pulmologut Zekirija Shahini, nuk është parë më herët. Pjesa më e madhe e pacientëve të shtruar janë të diagnostikuar me karcinomë të mushkërive, duke ngritur shqetësime serioze për përhapjen e kësaj sëmundjeje.

“Duhet të ngrihet alarmi, pse jo edhe të frikësohen njerëzit se është për tu frikësuar dhe për të treguar se shkaktari i kancerit të mushkërive është duhani. Nëse nuk mund ta ndalojmë 100% të paktën ta parandalojmë ose të gjejmë një alternativë që t’i paraprijë kësaj, që të mos vije te sëmundjet fatale, e fatkeqësisht ajo që më shqetëson më shumë është edhe mosha e re e pacientëve. Nuk është një moshë 70 apo 80 vjeçare, por janë një shumicë e madhe e pacientëve 50-60 vjeçare, që është një moshë shumë e re, moshë mesatare. Kemi një rritje të vdekjeve të pacientëve të moshave të reja”, tha Zekirija Shahini.

Pulmologu Shahini kërkon vëmendje më të madhe si nga institucionet shëndetësore, ashtu edhe nga qytetarët. Ai thekson se diagnostikimi në fazat e avancuara e vështirëson trajtimin dhe ul mundësitë për shërim. Për këtë arsye apelon te Ministria e Shëndetësisë që të bëhet një skrining.

“Kam bërë një apel deri te Ministria e Shëndetësisë që të ngritët alarmi deri te shoqatat e pulmologëve, që të ndërmerret një aktivitet – të behet një skrining i përgjithshëm, të ju mundësohet edhe mjekëve primarë dhe sekondarë që punojnë në mjekësinë primare dhe sekondare, t’u mundësohet që të vijnë sa më lehtë deri te skriningu, sepse për të bërë një rëntgen të mushkërive, pacientët presin deri në dy ose tre javë, mos të flasim më për një kompjuter tomografi të mushkërive për të cilën pritet me muaj të tërë. Apeli është që Ministria e Shëndetësisë të bëj një mobilizim të përgjithshëm për diagnostikimin sa më të hershëm të pacientëve të cilët janë me karcninom ose tumore të mushkërive”, deklaroi Shahini.

Mjekët theksojnë se rritja e ndërgjegjësimit, diagnostikimi në kohë dhe qasja e shpejtë në trajtim janë elementët kryesorë për të ulur pasojat e karcinomës së mushkërive, një nga sëmundjet me shkallën më të lartë të vdekshmërisë në vend.