Interi dhe Milani zbulojnë emrin e stadiumit të ri

TË FUNDIT

Një epokë e re pritet të nisë për futbollin e Milanos. Stadiumi i ri që do të jetë shtëpia e përbashkët e Interit dhe Milanit do të mbajë emrin “Generali Stadium”, pas marrëveshjes së arritur me gjigantin italian të sigurimeve Generali.

Lajmi u bë zyrtar të enjten, më 29 tetor, gjatë prezantimit të projektit të impiantit të ri, i cili do të zëvendësojë stadiumin legjendar “San Siro”, një prej simboleve më të njohura të futbollit italian.

arrëveshja për të drejtat e emërtimit, e njohur si naming rights, raportohet të kapë vlerën e rreth 650 milionë eurove për një periudhë 20-vjeçare, duke u renditur ndër marrëveshjet më të mëdha të këtij lloji në sportin botëror.

Stadiumi i ri do të ketë një kapacitet prej 71 500 spektatorësh dhe është projektuar nga studiot e njohura të arkitekturës Foster + Partners dhe MANICA. Projekti synon të ndërthurë arkitekturën moderne me atmosferën karakteristike të tribunave të “San Siros”.

Sipas planit të prezantuar nga dy klubet, impianti i ri pritet të jetë gati për sezonin 2031–2032, ndërsa punimet parashikohet të nisin në vitin 2028.

Kështu, Interi dhe Milani po përgatiten për një kapitull të ri në historinë e tyre, duke lënë pas gradualisht një stadium që për dekada ka qenë dëshmitar i ndeshjeve historike, rivalitetit të zjarrtë dhe emocioneve të miliona tifozëve.