Me parulla “Mos ma prek Mitrovicën” dhe “Të gjithë jemi një” dhjetëra qytetarë protestuan përpara Ambasadës së Serbisë, në Shkup, kundër siç thonë zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
“Diktatorët janë në gjendje të nisin edhe luftëra vetëm për të qëndruar në pushtet. Janë mijëra shembuj të tillë që i njeh historia. A nuk jemi vallë dëshmitarë të një lufte të përgjakshme të neokolonializmit në Ukrainë, ku Rusia dëshiron ta grabisë atdheun e ukrainasve. A nuk i përdori vallë mentori i Vuçiqit, Putini klerin të cilët i bekoi me çdo mjet ushtarak në luftë, bashkë me rusët ukrainas si mish për top, në luftën që është duke u zhvilluar atje.”- deklaroi Shpëtim Pollozhani – ish i burgosur politik.
Në fjalimet e tyre protestuesit thanë se serbët në Kosovë ndonëse janë pakicë, gëzojnë më shumë të drejta sesa shqiptarët në Maqedoni.
“Serbët mbrojnë politikën e Millosheviqit që dëshmojnë veprimet e fundit, duke acaruar gjendjen e brendësisë së Kosovës. Sipas ndodhive të fundit në krye me Vuçiqin ata kanë apetite ta copëtojnë Kosovën për aneksimin e pasurive dhe jo ajo që propagandohet, për të drejtat e pakicave serbe ne Kosovë, sepse pakica me 2% e serbeve në Kosovë, krahas neve shqiptarëve në Maqedoni, që nuk jemi pakicë, ata kanë shume të drejta, si askush në botë.”- pohoi Nexhmedin Hoxha – Iniciativa e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Protestuesit kërkuan përkrahje nga partitë politike shqiptare dhe i porositën që të deklarohen për situatën në veri. Protestën e mbyllën me këngën besa-besë. Ndërkaq e njëjta u iniciua nga Shoqata e ish të burgosurve politik e u mbështet edhe nga disa parti politike shqiptare.
