PROTESTA TË TENSIONUARA NË TIRANË, 15 TË LËNDUAR, MES TYRE EDHE POLICË DHE GAZETARË

Protesta të tensionuara në Tiranë. Pesëmbëdhjetë protestues të lënduar janë verifikuar deri tani dhe disa të tjerë kanë patur probleme të rënda me frymëmarrjen. Organizatorët e protestës raportojnë po ashtu se mes të lënduarve ka edhe gazetarë. Partia Demokratike ka publikuar disa foto të fotografit Arben Dajçi, i cili është plagosur në protestë. Sipas PD ai është dhunuar nga policia. Ndërsa raportohet se përveç plagosjes së efektivëve, qytetarë dhe pjesëmarrjes në protestë kanë humbur ndjenjat nga përdorimi i gazit lotsjellës. Turma e protestuesve para parlamentit, është shpërndarë disa herë radhazi nga policia. Megjithatë protestuesit vijojnë të rezistojnë dhe sapo minimizohet efekti i gazit lotsjellës, rikthehen sërish para parlamentit. Liderët e opozitës, Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi, janë aty, bashkë me protestuesit dhe udhëheqin turmën vazhdimisht drejt parlamentit. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar me anë të një statusi në Twitter ku shkruan se sulmi ndaj punonjëse të policisë së shtetit është bërë nga një grup parapolitik. Protesta nisi në orën 18 përpara kryeministrisë, por organizatorët nuk kanë dhënë një afat për përfundimin e saj. Kjo është hera e parë që opozita po proteston në mbrëmje.