Qindra qytetarë u mblodhën mesditën e së enjtes për të protestuar kundër shtrenjtimi të energjisë elektrike. Secili prej tyre në vend të parullave, kishte sjellë faturat “e kripura” të rrymës. Thonë se po paguajnë dhjetëra mijëra denarë për amvisëritë, ndonëse janë pak anëtarë në familje dhe e kursejnë rrymën.
Pas një ore, protesta u ashpërsua, pasi qytetarët insistonin për takim me udhëheqësinë e EVN-së në Qendrën energjetike të konsumatorëve në Butel. Nën forca të shumta policore, ata u ftuan në një takim, pas së cilit dolën të pakënaqur dhe thonë se meqë nuk ka epilog do të vazhdojnë protestën.
Nga Ndërmarrja Elektrodistribuimit thonë se EVN i lexon orëmatësit çdo muaj, edhe pse sipas Rregullave të Furnizimit, kompania ka detyrim ligjor që t’i lexojë një herë në tre muaj. Sipas tyre leximi i orëmatësve në nivel mujor është rreth 85%, dhe kjo përqindje është rritur në 95% brenda vetëm tre muajve.
“Përndryshe, këtë vit numri i kërkesave për korrigjim të gjendjeve të konsumit në periudhën dhjetor 2024-janar 2025 është për 20% më i ulët se në periudhën dhjetor 2023-janar 2024. Vetëm 15% e kërkesave për korrigjim kanë qenë të bazuara dhe këto fatura janë korrigjuar. Ashtu si gjithmonë, çdo konsumator ka të drejtë të kërkojë korrigjimin e faturës në mënyrë telefonike, me e-mail dhe pranë zyrave të pranimit të Qendrave Energjetike të Konsumatorëve të Elektrodistribuimit EVN”, thonë nga EVN.
Nga Komisioni rregullator i energjetikës thonë se me ndryshimet e fundit ligjore çmimi i energjisë përllogaritet nga EVN, ndërsa KRrE vetëm se bën kontrollin dhe miratimin e këtyre çmimeve. Sipas tre vendimeve të fundit energjia elektrike nga 1 janari 2024 është ulur për bllokun e parë me 5.16%, blloku i dytë dhe Tarifa e lirë janë të njëjtë, blloku i tretë rritet me 2.88% dhe blloku i katërt rritet me 1.86%. Sipas këtij organi rregullator, çmimi i energjisë elektrike nga 1 korriku 2024 në bllokun e parë dhe të dytë, ku përfshihen 88% e familjeve, u rritet mesatarisht me 0.4%.
Nga KRrE për TV21 thanë se nga 1 janari 2025, çmimi i rrymës për konsum mesatar në të katër blloqet është rritur për 0,92%. Konkretisht, në bllokun e parë çmimi u rrit me 0.68%, ndërsa në bllokun e dytë çmimi u rrit me 0.90%, thonë nga KRRE.
