Protesta e VV-së kundër Vuçiqit në Tiranë më 8 maj

TË FUNDIT

Protesta u paralajmërua që do të fillojë nga ora 18:00

Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë ka ftuar të gjithë qytetarët në Tiranë që t’i bashkohen në protestën e 8 majit, kundër ardhjes së Aleksandar Vuçiqit dhe Milorad Dodik në kryeqytetin shqiptar.

Ata kanë njoftuar se protesta nis në ora 18:00.

“Aleksandar Vuçiq dhe Milorad Dodik po planifikojnë të vinë në Tiranë më 8 maj – nuk janë të mirëseardhur! Ftojmë qytetarët të na bashkohen ditën e mërkurë, data 8 maj, në ora 18:00, para monumentit të “Vëllezërve Frashëri”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, për të shprehur simbolikisht dhe në mënyrë paqësore kundërshtimin ndaj politikave supremaciste serbe që rrezikojnë kombin shqiptar, si dhe drejtësinë e paqen në rajon”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të udhëtojë me 8 maj në Romë për t’u takuar me zëvendëskryeministrin e Italisë, Matteo Salvini. Në mbyllje të takimit në Romë, Vuçiq do të udhëtojë në mbrëmje drejt Tiranës për t’u takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini në kuadër të procesit ‘Brdo-Brioni’ i cili do të mbahet në kryeqytetin shqiptar për dy ditë./21Media