Mantelbardhët përsëri protestuan përpara Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar përmbushjen e premtimit të dhënë muaj më parë e që është rritja e pagave për punëtorët shëndetësor. Gjatë protestës Kryetari i Sindikatës së Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, Lubisha Karanfilovski bëri të ditur se në mëngjes sindikatat janë takuar me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe se janë dakorduar për nënshkrimin e aneksit për marrëveshje kolektive. Me këtë për infermieret do të ketë rritje plus tre mijë denarë bruto dhe dy mijë denarë për pjesën tjetër, administratën publike, asistencën e stafit teknik dhe mjekëve. Rritja do të jetë e vlefshme nga muaji mars, ndërsa zyrtarizimi pritet të miratohet nga Ministria e Financave dhe ministri Fatmir Besimi.
“Anekset janë gati dhe do të dorëzohen në Ministrinë e Financave, kështu që me gjasa pas aprovimit në javën e ardhshme edhe do të oficializohen. Me rëndësi është ajo për të cilën jemi marr vesh, aneksi do të zbatohet që me pagën e marsit”, tha Lubisha Karanfillovski – kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë.
Për nënkryetarin e sindikatës së Qendrës Klinike, Predrag Serafimovski, kjo rritje është e vonuar.
“Për këtë rritje mizërie për 3 mijë dhe 2 mijë denarë që për gjashtë muaj na i mori inflacioni, duhej të bëhej nga një nëntori e jo tani në prill. Me shëndetësinë ka pasur arrogancë edhe nga qeverisja e kaluar dhe dihet se si kanë kaluar kështu që nëse vazhdohet me injorim të punonjësve shëndetësor ose sjellje arrogante, ju bëhet keq”, pohoi Predrag Serafimovski, nënkryetar i Sindikatës së Qendrës Klinike.
Sindikatat paralajmëruan se nuk do të ndalen me kaq, thonë se do të kërkojnë që të rritet edhe koeficienti i pagës. Ndryshe që nga Ministri paraprak i Shëndetësisë, Bekim Sali, u premtua se pagat do të rriteshin që në muajin shkurt por e njëjta nuk ndodhi.