Propozimi i ri francez merr dritë jeshile në Qeveri! Kovaçevski siguron se me të ruhet identiteti dhe gjuha maqedonase

TË FUNDIT


Para nesh kemi propozim që përfshinë vërejtjet e Qeverisë, në propozimin francez ka qëndrime për pranim të plotë të gjuhës maqedonase, si dhe që protokolli të mos jetë në kuadër kornizës negociuese. Kështu u shpreh kryeministri Dimitar Kovaçevski në lidhje me propozimin francez, pas takimit me partnerët qeverisës. Për kryeministrin pozita në të cilën ndodhemi është shumë më e favorshme për ne.


“Të gjitha pohimet e rrejshme të çfarëdo forme u fundosën, si qeveri qëndruam me dinjitet ndaj pozicioneve shtetërore në lidhje me negociatat me Bullgarinë në çdo këndvështrim, mbrojtëm interesin kombëtar dhe identitetin nacional maqedonas. Kemi definuar pozicione për pranim të qartë të gjuhës maqedonase si dhe që protokolli të mos jetë pjesë e kornizës negociuese”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq bëri të ditur se është plotësuar kërkesa që çështjet historike të mos jenë në kuadrin e negociatave, ai bashkë me ministrin e jashtëm Bujar Osmani, shpjeguan procedurat e mëtejme, në rast se pranohet ky propozim.

“Nëse biem dakord me këtë paketë, kjo do të thotë një fillim i shpejtë i të gjitha procedurave. Ajo që ka rëndësi është Konferenca e parë ndërqeveritare, në formën që ne do ta përcaktojmë”, pohoi Bojan Mariçiq, zv/kryeministri për Çështje Evropiane.

“Nëse qeveria sjell vendim se po e pranon propozimin atëherë unë mundem menjëherë të organizoj takim me komisionet ndërqeveritare me Republikën e Bullgarisë dhe t’i qasemi nënshkrimit të protokollit. Kjo në periudhë kohore do të koincidojë me ditën kur BE, këshilli i BE-së do ta miratojë kornizën negociuese dhe gjithë propozimin francez”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Kryeministri paralajmëroi se pas konsultimeve konstruktive me partnerët qeverisës, për propozimin do të debatohet edhe me Presidentin, opozitën si dhe në Kuvend.

Propozimi thotë se “për sa i përket përkthimeve të legjislacionit të BE-së, BE-ja vuri në dukje deklaratat përkatëse të njëanshme të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për gjuhën maqedonase”. Propozimi thekson se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit.


“Ju kujtojmë rëndësinë e arritjes së rezultateve të dukshme dhe implementimin e marrëveshjes bilaterale, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë”, thuhet në propozim.

Sipas propozimit fillimi formal i negociatave do të fillojë me Konferencën e dytë Ndërqeveritare dhe kusht për këtë, si në propozimin e mëparshëm, është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve në të.