Prokuroria nis procedurë ndaj kërcënuesit të Ibrahimit, prona tokësorë ku duhet të ndërtohet stadiumi u bë sherr në Haraçinë

TË FUNDIT

Nën dyshimin se ka kryer vepër penale “dhunë” kundrejt kryetarit të komunës së Haraçinës Ridvan Ibrahimi, Prokuroria Themelore tashmë ka nisur procedurë kundrejt ish-kryetarit të komunës Brahim Ajvazi në bazë të nenit 386, paragrafi 1 i Kodit penal.

“Ai që keqtrajton tjetrin, fyen rëndë, rrezikon sigurinë e tij ose kryen dhunë të rëndë ndaj tij dhe me këtë në publik shkakton ndjenjë pasigurie, rrezik ose frikë, do të dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet”, thuhet në Kodin Penal, neni 386, paragrafi 1.

Në kumtesën e prokurorisë thuhet se i dyshuari  69-vjeçar nga Haraçina, më 23 maj 2023 ka hyrë në zyrën e kryetarit të komunës duke e kërkuar me forcë që t’i jepet tokë nën pronësi të Komunës së Haraçinës. Pasi kryetarin nuk e ka gjetur në zyrë, të njëjtin e ka takuar në oborr e komunës dhe ka nisur ta ofendojë ashpër, ta kërcënojë dhe të sillet në mënyrë të dhunshme me të.

“Për të siguruar prezencën e të dyshuarit dhe mbarëvajtjen e procedurës penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, propozimin për caktimin e masës së sigurisë – obligim për të dyshuarin që të raportojnë herë pas here tek organe kompetent shtetërore, ndalimin e vizitës në objektet zyrtare të Komunës së Haraçinës, si dhe ndalimin e afrimit apo vendosjes së kontakteve me kryetarin e komunës”, thonë nga Prokuroria.

I gjithë problemi në Haraçinë është shkaktuar për një pronë tokësore tek e cila është paraparë të ndërtohet një fushë futbolli për klubin futbollistik Shkendija. Sipas kryetarit aktual Ridvan Ibrahimi ajo tokë është uzurpuar nga ish-kryetari Ajvazi, por ky i fundi e mohon.  Thotë se toka menaxhohet nga familja e tij dhe familjet e dëshmorëve.

Ndërkohë në emailin e TV21 ka arritur një reagim prej familjarëve të dëshmorëve të Haraçinës, të cilët distancohen nga Ajvazi.

“Këtë pretendim të tij ne e kundërshtojmë dhe distancohemi haptazi dhe deklarojmë se asnjë familjar i dëshmorëve nuk gëzon as një milimetër nga ajo tokë. Vlerësojmë se është e papranueshme të bëhen prononcime të këtilla të pabaza dhe të keqpërdoret emri i familjeve të dëshmorëve. Por edhe po të kishim ne tokë, do ishim të gatshëm atë tokë ta falim për të mirën e të rinjve dhe qytetarëve, ashtu siç ja falën jetën prindërit dhe vëllezërit tanë”, thonë Familjet e dëshmorëve – Haraçinë.

Për shkak të kërcënimeve të tilla komuna e Haraçinës është e mbyllur për qytetarët. Në punë nuk shkon as kryetari i komunës por, as punonjësit e administratës.