Profesionet të ndryshme nga obligimet?! Zëvendësministrat të martën para deputetëve

TË FUNDIT

Në vend që të kenë fundjavë të lirë, deputetët do të duhet t’i lexojnë biografitë dhe të njoftohen me zëvendësministrat e propozuar në Qeveri. Mes tyre ka gazetarë, profesorë, kadetë… Zëvendësministri i deritanishëm i Financave, Bashkim Hasani, i cili është profesor i edukatës fizike, do të jetë zëvendësministër i mbrojtjes te Sheqerinska.

Nga “Telekomi”, Nazim Bushi kaloi në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në dosjen e tij arsimore qëndron se ka diplomuar në Akademinë Ushtarake në Zarë dhe në Fakultetin Pedagogjik në Shkup. Nga ana tjetër, zëvendësi i deritanishëm i MPB-së Agim Nuhiu, është propozuar për zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë me të cilën udhëheq Bojan Mariçiq. Ai deri më tani dy herë ishte zëvendës dhe ministër i Punëve të Brendshme.

Politologu i diplomuar Ilhan Rahman, përfaqësues i komunitetit turk në vend, është propozuar për zëvendësministër për sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve, kurse Fatmire Isaku për zëvendëse të Bujar Osmanit në Ministrinë e Jashtme. Ajo është profesoreshë e gjuhës angleze dhe kuadro e PDSH-së.

Për zëvendësministër të Financave është propozuar Dimitar Kovaçevski, profesor në Kolegjin Amerikan në Shkup, kurse paraprakisht ishte drejtor i “Telekom-it” dhe “VIP-it”. Ekonomisti Zoran Manevski, ish-sekretar shtetëror në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe në Ministrinë e Ekonomisë, vjen si propozim për postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Ekonomisë, kurse ministri i deritanishëm i Bujqësisë, inxhinieri bujqësor, Trajan Dimkovski, do të jetë zëvendësministër në resorin e njëjtë.

Mjeku traumatolog Ilir Hasani dhe ish-drejtor i Urgjencës dhe i Klinikës së Traumatologjisë, shkencëtar dhe përfaqësues i Maqedonisë në asociacionet me famë botërore, do të jetë zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë. Arafat Shabani, profesor i psikologjisë pedagogjike dhe ish-dekan i Universitetit të Tetovës, është propozuar për zëvendësministër të Arsimit. Enver Huseini nga Partia Demokratike e Turqve, arsimtar i diplomuar, i cili ishte ish-sekretar në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, vjen në postin e zëvendësministrit në këtë resor.

Gazetari dhe redaktori Zoran Dimitrovski, kuadër i Lidhjes Demokratike është propozuar për zëvendës të ministrit i cili udhëheq me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale.
Aleksandar Bajdevski i cili është ekonomist, mbetet në vendin e zëvendësministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Sedat Sulejmani, i cili ka diplomuar për shkenca shoqërore dhe ka punuar në biznes privat, është propozuar për zëvendësministër në Kulturë.

Bekim Rexhepi do të jetë zëvendës në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve. Ai është jurist i diplomuar, kurse ishte edhe anëtar i Këshillit Gjyqësor. Hristina Oxhaklieska, doktor i shkencave gjeografike është propozuar për zëvendësministre në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, si kuadër e partisë DOM (RDM).

Seanca kuvendore për zgjedhjen e zëvendësministrave është caktuar të martën në orën 11.