Prodhime vendore bio prezantohen në Tetovë! Qytetarët gjithnjë e më të vetëdijshëm për ushqimet natyrale

TË FUNDIT

Prodhime vendore natyrale u promovuan në sheshin e Tetovës.

Ato kryesisht vijnë nga fshatrat e Malit Sharr.

Kultivuesit, veçanërisht bletarët, por edhe prodhuesit e produkteve të tjera bio thonë se qytetarët janë vetëdijesuar se çfarë konsumojnë.

“E kemi pastër uthullën e hudhrës së egër, kemi dhe shurupin e pishës që pastron mushkërinë e bardhë për sekretin që kanë njerëzit. E kam vajin e farës së zezë bio, e kam vajin e farës së kungullit për ata që kanë problem me prostatën”, thotë Qerim Hajrullahu, prodhues i produkteve bio.

“Sot kemi dalë të prodhojmë produktet për blerës, mjaltë, mjaltë me hoje, propolis, edhe disa kombinime të tjera që i bëjmë, por në përgjithësi produktet e blerës i prezantojmë. Në përgjithësi njerëzit janë vetëdijesuar dhe rrjetet sociale e bëjnë punën e vet dhe na lehtësojnë punën neve. Është problem bletaria, sasia e mjaltës përgjithësisht është gjithmonë në rënie, shkaku kryesor është ndryshimi i klimës”, vlerëson Nuredin Ismani, bletar.

Ky lloj panairi i ushqimeve bio në sheshin e Tetovës u soll nën kujdesin e organizatës “Rezonanca”, ndërsa qëllimi është promovimi sa më i lartë i prodhimeve vendore.

“Ka për qëllim jo vetëm të motivojë prodhuesit e këtyre produkteve, por edhe banorët e malësisë së Sharrit që të nisin dhe promovojnë turizmin malor, por edhe t’i kultivojnë këto produkte, sepse, pasi që e vetmja mundësi e zhvillimit në këtë zonë kanë ngelur këto”, deklaron Berat Azizi, organizator.

Prodhimet e mjaltës dhe barërat e ndryshëm nga shumë qytetarë shihen edhe si mënyrë alternative për të kuruar sëmundje të ndryshme. Prodhuesit dhe shitësit pohojnë se plot njerëz edhe janë shëruar në këtë mënyrë, por megjithatë bëjnë apel që të mos i marrin si barëra bazë, por si ndihmëse në shërimin e sëmundjeve.