Pritje me orë për parkim në Qendrën Klinike, Sali: Lëvizjen e pacientëve do ta bëjmë me makina elektrike

TË FUNDIT

Tollovi dhe makina të parkuara vend e pa vend.

Kjo është pasqyra e përditshme në hapësirën e Qendrës Universitare Klinike.

Qytetarët ankohen dhe thonë se humbin shumë kohë për të gjetur vend për parkimin e veturës.

“Nuk është hiç në rregull. Ja unë erdha në mëngjes, tre orë e mezi u parkova. Në mëngjes është më së keqi e tani gjatë daljes nuk është aq telashe”

“Jo mezi, një orë kam ecur lart e poshtë. A ju shkakton kjo problem edhe për termine? Si jo, se kam paguar 100 denarë e kam shëtitur një orë lart e poshtë. Kaos, paratë i marrin e parking nuk ka”

“Vështir për parking. Sa kohë iu desh që të hyni tani. Po sigurisht një gjysmë ore”

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali thotë se në favor të përmirësimit të organizimit të parkimit, do të shtrenjtoj shërbimin apo çmimin për makinat që nuk kanë nevojë të hyjnë në spital. Kjo ngaqë sipas tij në parking bëhet tollovi sepse veturat i parkojnë edhe persona të tjerë që dalin e kryejnë punët e veta në këtë pjesë të qytetit. Ndërkaq lëvizja e pacientëve nëpër oborrin e klinikës do të bëhet me vetura elektrike, tha ai.

“Nuk dua të nxitoj në promovim por linjat e brendshme do të ishin të organizuara, ashtu do të ishte kërkesa jonë si ministri, me elektromobilie ose vetura të cilat janë të hapura për lëvizjen e pacientëve brenda Qendrës Klinike. Kjo nënkupton se futja e veturave që nuk kanë nevojë të futen në spital, do të mund të kushtojë më tepër se sa që është për momentin, sepse të dhënat tona flasin edhe për keqpërdorim të çmimit të këtij parkingu”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Ky projekt do të nis të zbatohet vitin e ardhshëm, meqë në prill skadon kontrata aktuale që i është dhënë parkingjeve të Qytetit të Shkupit.

Sipas të dhënave që disponohen publikisht nga NP “Parkingjet e Qytetit”, në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” janë në dispozicion të qytetarëve gjithsej 533 vende parkimi. Çmimi për parkim është 25 denarë për orë, ndërsa rikonstruksioni i fundit i gjithë infrastrukturës së komunikacionit është bërë në vitin 2020, kur në vendin e ish-objektit të Klinikës Gjinekologjike është hapur parking shtesë për 150 vetura. Më pas është rikonstruktuar edhe parkingu në Klinikën e Kirurgjisë.