Peisazh i bukur me liqenin përballë, shtëpi të bukura e ajër i pastër.
Asgjë s’i mungon fshatit Kranjë të Prespës, përveç një gjëje, njerëzit.
Ata kanë ikur nëpër kontinente të tjera.
Këta bashkëmoshatarë të Genc Sedaliut, jetë më të mirë kanë gjetur larg vendlindjes. Shpërnguljet vazhdojnë edhe sot rrëfen ai, por motivet nuk janë të njëjta si ato të para 40 viteve.
“Nëse në vitet e ’80-ta ka qenë motivi politik, sot realiteti është diçka tjetër, sot të rinjtë për fat të keq kanë humbur shpresën, nuk shohin perspektivë”, tha Genc Sedaliu, banor i Kranjës.
Shkolla e Kranjës dikur ka pasur 400 nxënës. Sot ka vetëm 20. Ikjet e vazhdueshme e kanë lënë mësuese Kadimenë me pak nxënës në klasë. Kur ajo ka qenë nxënëse e kësaj shkolle, kanë qenë 44 nxënës, tani ka vetëm nga 4 a 5 në klasë, aq sa detyrohen të punojnë me paralele të kombinuara.
Kadime Islami: “Nxënësit s’janë këtu, kanë shkuar me prindërit në emigrim. Më shumë në Amerikë, në Kanada, në Australi, tani në këto shtetet evropiane, sa vjen e më shumë shpërngulen.
TV21: E keni frikën se ndonjë ditë do të mbeteni pa nxënës?
Kadime Islami: “Po, kjo shumë na befason. Sidomos këta arsimtarët e rinj, se unë edhe 2 vjet do të shkoj në pension, por për këta të rinjtë është problem sepse numri po vjen duke u zvogëluar shumë”.
“Dikur vetëm Kranja numëronte rreth një mijë banorë, ndërsa sot po t’i marrësh gjithë fshatrat shqiptarë të Prespës, mezi sa arrihet një numër i tillë. Shtëpi të reja ka plot, por shumë pak oxhaqe të tyre nxjerrin tym”, Besir Arifi, gazetar.
Prespa gjallërohet vetëm gjatë verës kur vijnë kurbetçarët. Këtu nuk është edhe aq e lehtë që të takosh të rinj rrugëve, e disa që i gjetëm në kafenenë e fshatit nuk donin të flisnin.
Disa na thanë se e kanë mendjen të ikin, por Sulejman Adili nuk ua këshillon një gjë të tillë.
Ai pas 30 vitesh në kurbet, e ka lënë Australinë dhe është kthyer në vendlindje bashkë me familjen, e megjithatë thotë se e kupton edhe hallin e rinisë.
“Perspektiva e të rinjve është të rrinë këtu, të mbetën këtu, por edhe të rinjtë kanë të drejtë, se nuk kanë ekzistencë. Kanë mbaruar shkolla të larta, me fakultet e me të tëra, ndërsa punë s’kanë, andaj kanë për qëllim të shpërngulen”, theksoi Sulejman Adili.
Trendi i ikjeve të prespanëve ka nisur që para 100 viteve, kur banorët e parë janë nisur drejt Amerikës. Përveç Kranjës, emigracion masiv ka edhe në fshatrat e tjerë si Nakolec, Gërçar, Arvat e Asamat.
