Një muaj pas Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, presionet mbi gazetarët dhe mediat në përgjithësi nuk kanë të ndalur. Në kohën kur krejt sytë janë kah pushteti i cili jo rrallëherë di të ushtrojë presion ndaj fjalës së lirë, dalin partitë opozitare dhe pa asnjë skrupull etiketojnë paturpësisht gazetarë dhe shtëpi mediatike. Me këtë vepër po dëshmohet se gazetarët janë lënë në mëshirë të fatit.
Lëvizja NDRYSHE dënon ashpër sjelljen e Partisë Aleanca për Shqiptarët kunddrejt gazetarëve të Klan Maqedoni, Gazeta Express dhe (së fundmi) TV21M.
Lëvizja NDRYSHE gjithashtu fton organet kompetente (Prokurorinë, Policinë dhe Hetuesinë), ambasadat dhe OSBE-në që të ndikojnë në eliminimin final të sjelljeve jodemokratike që vijnë nga partitë dhe përfaqësuesit e tyre dhe jo vetëm. Ofendimet dhe thirrjet për linçim publik nga anëtarë dhe simpatizantë të partisë/ve politike duhet të marrin fund menjëherë.
Gazetarët dhe mediat janë pjesa esenciale e shoqërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Prandaj edhe apelojmë për përmbajtje dhe kujdes të shtuar.
Lëvizja NDRYSHE gjithashtu inkurajon gazetarinë për profesionalizëm në veprimtarinë e tyre. Shoqatat e gazetarëve dhe mediave duhet gjithashtu të mbrojnë gazetarët nga ofendimet, akuzat dhe thirrjet për linçim publik të partisë/ve politike.
Lëvizja NDRYSHE, si pjesë e Shoqërisë Civile, e çmon lartë rolin e gazetarisë në RMV.
Lëvizja NDRYSHE nënvizon se gjithmonë do të mbetet krah mbështetës i gazetarëve dhe mediave në vend.
