Presidentja Osmani përuron rrugën “Ibrahim Rugova”! Viziton Çarshinë e Shkupit, esnafët e mirëpresin me dhurata

TË FUNDIT

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu, bashkë me të bijën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, shpalosën tabelën e rrugës që sot e tutje do ta mbajë emrin e presidentit historik.

Kreu i Çairit, Ganiu tha se kjo është gjëja më e vogël që mund të bëhet për një figurë si ai.

 “Në një nga lagjet më të vjetra dhe shumë pranë kalasë së Shkupit sot po e personifikojmë presidentin historik të Republikës së Kosovës, doktor Ibrahim Rugovën duke ia vendosur emrin e tij njërës nga rrugët e kryeqendrës së vendit tonë”, pohoi Visar Ganiu, kryetar i komunës së Çairit.

E disa fjalë për rrugën “Ibrahim Rugova” i tha edhe presidentja Osmani.

 “Ju me të vërtetë e keni hijeshuar komunën tuaj sepse emrat e rrugëve janë pasqyrë e historisë, kulturës dhe e identitetit tonë kombëtar. Rrugët sikurse jo me emrin e presidentit Rugova ofrojnë edhe ndjenjën e përkatësisë dhe identitet”, theksoi Vjosa Osmani-Sadriu, presidente e Kosovës.

Rruga “Ibrahim Rugova” është rruga që gjendet tek ambasada e Shqipërisë, respektivisht ish-rruga “Sllavej Planina” në komunën e Çairit.

 “Ibrahim Rugova tani erdhi e do të qëndroj për herë në Shkupin e tij që e deshi me zemër”, pohoi Visar Ganiu, kryetar i komunës së Çairit. 

Presidentja më tej vizitoi Çarshinë e Shkupit. U takua me qytetarë e me fëmijë që kishin dalë ta presin presidenten. Të vegjlit Presidentja i këshilloi…

-Me msu shumë, me pas sukses në shkollë.

-Mirëdita të gjithëve! Si jeni a jeni mirë? Si kaluat?

Rrugës vizitoi edhe një argjendari e prej të cilës nuk doli duar thatë.

E presidentes Osmani dhuratat nuk iu ndalën gjatë gjithë rrugës nga të gjithë esnafët e çarshisë.

Njëra prej argjendarive i dhuroi një varëse të artë me flamurin e Kosovës.

“Është çarshia më e madhe në Ballkan. Ka diku 750 dyqane”.

Në fund bënë edhe një foto të përbashkët me fëmijët.

Ndërsa shëtitja e saj nëpër Shkupin e vjetër kulmoi me vendosje e kurorave me lule tek shtatorja e heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu e tek përmendorja e Hasan Prishtinës.