Prerësit ilegal masakrojnë malet e Kërçovës me leje nga të punësuarit e NP”Llapushnik”/ Dëmtohen edhe 167 metra dru!

TË FUNDIT

A po vazhdon keqpërdorimi i detyrës zyrtare të të punësuarve në Ndërmarrjen Publike Pyjore “Lllapushnik” në Kërçovë?! Dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë përgatitur dokumentacion zyrtar për prerjen e 167 metrave dru zjarri dhe ia kanë lëshuar një personi fizik nga Prilepi, duke i shkaktuar një dëm ndërmarrjes publike “Pyjet Kombëtare” prej rreth 12.400 euro.
Për këtë shkak Sektori i Punëve të Brendshme nga Kërçova ka ngritur kallëzim penal kundër katër personave.

“Të akuzuarit, punëtorë të Ndërmarrjes Pyjore ‘Llapushnik’, kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë përgatitur dokumentacion zyrtar për prerjen e 167 metrave dru zjarri dhe ia kanë lëshuar një personi fizik nga Prilepi. Me këtë, Ndërmarrjes Publike ‘Pyjet Kombëtare’ i kanë shkaktuar dëm në shumë prej 769.300 denarë”- thanë nga SPB Ohër.
Zv/drejtori i pyjeve të Maqedonisë Berat Dehari për TV21 tha se iniciativa është ngritur nga ne në bazë të përllogaritjeve vjetore pasi siç tha, mungojnë mjete.
“Kjo është në fazë të procesimit, nuk mund të japim detaje pa mos dal prokuroria apo organet përgjegjëse. Nga ana jonë nga kontrolli i brendshëm që është kontestuar dhe iniciativa është ngritur nga ne në bazë të përllogaritjeve vjetore kur mungojnë mjete apo kur ka mbas sezonit prerje dhe kur dalim në teren e konstatojmë p.sh. po qe se ka në njësi 1000 metra kub që duhet të jetë prerë janë prerë 1500 ndërsa mungojnë të ardhurat dhe aty konstatohet se duhet të ketë procesim të mëtejshëm të keqpërdorimit”- tha Berat Dehari zv/drejtor I pyjeve të Maqedonisë
Kujtojmë se në hulumtimet e Eurothink që u bë në vitin 2021 u shpalosën të dhënat nga viti 2010 deri në vitin 2019 nga ku tregojnë se bëhet fjalë për veprimtari të organizuar kriminale ku grupe serioze kriminale me hierarki dhe strukturë arrijnë të akumulojnë një sasi të madhe të prerjeve të egra ilegalisht. Ata thonë se në këtë veprimtari ilegale janë të kyçur edhe figura të fuqishme politike.
Zv/Drejtori Berat Dehari tha se po marrin masa duke u munduar të gjejnë njerëz adekuat në ndërmarrjen e Kërçovës me qellim evitimin e situatave të këtilla.