Shkolla në Idrizovë ka 3 vjet që është premtuar nga kryetari i komunës së Gazi Babës.
E këtë premtim kryetari i kësaj komune Boris Georgievski i ka dhënë disa herë edhe para banorëve të Idrizovës.
Ai sot ishte bashkë me Kryeministrin Zaev, ku sërish e pyetëm se pse nuk po e mbanë premtimin.
“Ka tre vjet që keni premtuar ndërtimin e shkollës në Idrizovë, a mund të na tregoni neve dhe kryeministrit se përse nuk e keni mbajtur premtimin?
Edhe njëherë theksoj se Komuna e Gazi Babës duhej të kompletojë dokumentacionin dhe e ka dërguar në MASH për ndërtimin e shkollës në Idrizovë”, tha Georgievski.
Këtë përgjigje Georgievski pothuajse po e pësërit gati dy vjet, duke përmendur procedura dhe duke e hedhur topin te ministria e Arsimit. Andaj për ta nxjerrë nga situata, kryeministri Zaev u detyrua të çohet në këmbë për ta ndihmuar në përgjigjen e tij.
Boris Georgievski: Ja do të ndihmojë edhe kryeministri me gjithë këto punë sepse ai më mirë i dinë punët… Ju më ftuat ja unë erdha këtu me të vërtet të ndihmoj. Për cilëndo komunë për cilindo kryetar komunë për shkolla e çerdhe, veçanërisht për çerdhe bëjmë gjithçka. Procedura, siç tha kryetari i Komunës është rekomandim nga Qeveria që komuna të përgatisë dokumentacion të planit të cilën e dorëzon në Ministrinë e Arsimit. Tani me ribalancin e buxhetit për Ministrinë e Arsimit janë rritur mjetet për projekte kapitale. Kjo do të thotë bazë për të shkruar tender për ndërtimin e shkollës.
Të njëjtën përgjigje kryetari i Gazi Babës e kishte dhënë edhe në vitin 2019, por deri tani asnjë progres në procesin e ndërtimit të shkollës.
“Ne e mbaruam pjesën të cilën e kemi si obligim ne si komunë, për gjetjen e parcelës, kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm për ndërtesë efikase energjetike në Idrizovë. I kemi dërguar në MASH, si konkluzion ishte se ne si komunë këtë duhet ta bëjmë. Tani mbetet që MASH këtë ta kalkulojë në buxhetin e vitit 2020. Shpresoj se do të ketë reagim të shpejtë”, pati deklaruar Boris Georgievski, kryetar i Gazi Babës më datë 12.02.2019.
Kjo është marrëveshja e firmosur në mes banorëve dhe kryetarit të komunës së Gazi Babës, si zgjidhje për nxënësit të Idrizovës. Në të thuhet se nëse palët nuk do të respektojnë marrëveshjen e arritur do të përgjigjen në mënyrë penale dhe morale.
