Premtim para zgjedhjeve, zhgënjim më pas! Rruga e Merovës ende në pritje të asfaltit

TË FUNDIT

Rikonstruimi i kësaj rruge filloi një muaj para zgjedhjeve lokale. Aso kohe, banorëve të fshatit Merovë u ishte premtuar se rruga do të rregullohet shpejt, mirëpo pasi që kaluan zgjedhjet, për këtë rrugë ende nuk ka zgjidhje. Banorët shprehen të revoltuar me mosmbajtjen e premtimit nga ana e Kryetarit të Komunës, Blerim Sejdiu. Thonë se po i dëmtojnë veturat dhe po ua vështirëson dukshëm lëvizjen për në qytetet.

“Rruga katastrofë. E shihni vetë ju se si është rruga. Nuk e di si të them, e shihni vetë, keni ardhur deri këtu e keni parë. Rruga është katastrofë. Ka 4-5 muaj ose më shumë që është në këtë gjendje”, tha një qytetar.

“Rruga është katastrofë. Prej 15 tetor rruga është prish! Premtimi ka qenë që para zgjedhjeve lokale do bëhet rruga. Por nuk është bërë rruga. Thuhet që rruga ka filluar qe tre ditë, por ne nuk shohim asnjë punim se po bëhet. E dëgjuam kryetarin në debat te TV21 se ka fillu tre ditë nuk ka asnjë punim. Vetëm një ekskavator që ka ardhur sepse ka pasur edhe shembje të dheut. Andaj ai bager qëndron aty”, tha një tjetër qytetar.

“Siç tha edhe kolegu më herët, na i dëmtojnë varturat të gjithëve”, shtoi një qytetar tjetër.

“Të gjitha veturat që shkelin në atë rrugë janë të prishura. Ka 4 muaj 5 që është kështu në gjendje të mjerueshme. Kemi nevojë për rrugën dhe ujësjellësin”, u shpreh qytetari.

Kryetari i Zhelinës e pranon se u ka dalë nga fjala banorëve të Merovës por thotë se vonesat kanë ardhur si pasojë e motit të ligë dhe ngricave, që kanë pamundësuar asfaltimin. Sipas Sejdiut, deri në fund të muajit mars, rruga do të përfundojë dhe nuk do të ketë vonesa të tjera.

“Rruga është duke u bërë, ka tre ditë që kemi filluar. Kanë qenë kushet e tilla të këqija që e kanë pamundësuar intervenimin e mëhershëm. E kam thënë që do e bëj më heret! Nuk mund të them që nuk e kam thënë. Kushtet klimatike kanë qenë të tilla dhe unë nuk kam ndikim aty. Por që rruga do të bëhet me asfalt deri në fund të muajit të tretë, atë po e them me përgjegjësi para kamerave tuaja dhe para shikuesve tuaj”, deklaroi Blerim Sejdiu – kryetar i Komunës së Zhelinës.

Kjo rrugë përveç se nga fshati i Merovës, shfrytëzohet edhe nga banorët e fshatit Sallarevë. Rrëshqitja e dheut së fundmi, e ka bërë rrugën edhe të rrezikshme për kalimtarët.