Prej nesër protokolle shtesë! Hotelet pa tryezë suedeze, me regjim plotësisht të ri?

TË FUNDIT

Sipas të gjitha gjasave, prej nesër restorantet do të marrin protokolle shtesë për punë në kohë pandemie. Sipas informacioneve të TV21 prej nesër lokalet do të mund të punojnë edhe pas orës 22, përkatësisht të punojnë sipas orarit të vjetër. Protokolle për punë presin edhe hotelet për të cilat Qeveria tha se do të publikohen ditëve në vijim.

“Ne si Ministri i ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e shëndetësisë dorëzuam propozim, ndërsa nga Komisioni për sëmundje ngjitëse na lajmëruan se nga e hëna do të ketë protokolle të reja për punën e lokaleve duke i përfshirë këtu edhe hotelet,” tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Siç mësojmë, këtë verë nuk do të ketë tryezë suedeze nëpër hotelet. Një tryeze do të vendoset në hapësirë prej 10 metrave katrore me distancë mes klientëve prej dy metrave. Klientët do të duhet të jenë nga një familje. Nga ana tjetër, një pjesë e të punësuarve në hotelet theksojnë se Qeveria do të duhet të shqyrtojë mundësi për ulje të TVSH-së, masë të cilën e zbatojnë Bullgaria dhe Greqia. Për gjendjen e vështirë financiare po ankohen edhe në rajonin  Tikvesh ku janë mbyllur bizneset në shenjë proteste. Qeveria u ka premtuar se do t’i shqyrtojë kërkesat e tyre në seancë qeveritare.

“Në seancën e ardhshme qeveritare, më së voni të martën do të lehtësohen masat, me orar deri në orën 24 gjatë javës pune, dhe deri në orën 01 pas mesnate gjatë fundjavës. Do të mundësohet punë edhe në pjesët e brendshme të objekteve me protokolle të caktuara,” tha Dane Belevski, Shoqata e hotelierëve.

Pritet qëndrimi i Komisionit të sëmundjeve ngjitëse i cili duhet të japë mendim në lidhje me organizimin e dasmave në kohë pandemie.

Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se edhe në kohë kur ka mbaruar gjendja e jashtëzakonshme, Qeveria ka mundësi ligjore për të sjellë protokolle në formë të akteve juridike.