Partia Lidhja Shqiptare reagoi ndaj paralajmërimeve për propozimin e Qeverisë, që pjesa teorike e provimit të jurisprudencës të mund të jepet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike në gjuhën maqedonase. Sipas partisë, ky propozim rrezikon të kufizojë përdorimin e gjuhës shqipe vetëm në aspektin teorik dhe mund të krijojë precedent edhe për procese të tjera institucionale. Nga Lidhja Shqiptare vlerësojnë se një zgjidhje e tillë bie ndesh me frymën e dispozitave kushtetuese dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke kërkuar kundërshtimin e saj nga studentët, pedagogët, partitë politike shqiptare dhe aktorët e tjerë shoqërorë.
“Propozimi i Qeverisë për dhënien e provimit të Jurisprudencës hap një problem të ri përtej kësaj teme. Me këtë propozim goditet jo vetëm provimi në fjalë, por edhe Gjuha Shqipe dhe përdorimi i saj në përgjithësi. Me këtë precedent, do të instalohet fillimisht praktikë që edhe në provimet e tjera, pjesa teorike të jepet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike në maqedonisht. Më pas do të tentohet që Gjuhës Shqipe ti jepet statusi i një gjuhe që do të përdoret vetëm në teori, në të folur, në deklarata, por jo edhe në praktikë, ku hyn edhe e shkruara, përdorimi në dokumentacione dhe komunikimin zyrtar të institucioneve. Ky propozim e kthen Gjuhën Shqipe në statusin e para vitit 2018, në kohën e ligjit të vitit 2008, por dhe para se të rregullohej me Kushtetutë, si dhe do të krijojë efekt “domino” edhe në të drejtat e tjera që burojnë nga Kushtetuta e pas vitit 2001. Ky propozim duhet të kundërshtohet zëshëm si nga studentët, pedagogët, ashtu edhe nga të gjitha subjektet politike shqiptare dhe të gjithë aktorët shoqëror në vend. Gjuha Shqipe nuk është vetëm “gjuhë teorie”, por edhe në praktikë dhe gjuhë institucionale në mbarë vendin. Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe dispozitat kushtetuese janë të qarta dhe nuk guxojnë të preken!”, thonë nga LSh.
