Projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pritet që nesër të shqyrtohet në seancë qeveritare dhe pritjet janë që të marrë dritë jeshile, për t’i hapur rrugë dorëzimit në procedurë parlamentare. Ky propozim-ligj vjen si zëvendësim i mekanizmit “Balancuesi”, i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese. Shefi i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, tha se me këtë zgjidhje ligjore, shteti del nga kriza e mosfunksionimit dhe përçon mesazhin se barazia nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese që zbatohet në praktikë, në përputhje me standardet evropiane dhe ligjet anti-diskriminuese.
“Ligjin e presin nesër të kaloj në Qeveri, Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një ligj i pritur tash e 20 e ca vjet, do të kaloj nesër në Qeveri, pas asaj e presim që të vijë në procedurë parlamentare. Ligji prandaj bëhet, ka karakter universal dhe pretendon të ketë barazi sepse para ligjit janë të gjithë të barabartë dhe ai bëhet që të garantoj një përfaqësi të drejtë për të gjitha komunitetet, përfshirë komunitetin maqedonas, shqiptar, turk e kështu me radhë”, tha Qoku.
