Sasho Dimitrievski për 26 vite punon si postier, kurse vitet e fundit është kontrollues i postierëve. Ai është një nga të punësuarit në “Postën e Maqedonisë” të cilët gjatë pauzës po protestojnë tashmë dy ditë me radhë, për shkak se pagat e tyre për muajin shtator po vonohen tashmë 5 ditë.
“-Po thoni se paga ju vonon 5 ditë. A janë dorëzuar të gjitha dërgesat në kohë? A ka reagime nga qytetarët që nuk janë dorëzuar? -Kemi reagime, nuk mund t’ju gënjej. E dini se kemi mungesë të postierëve edhe në Shkup, edhe jashtë”, tha Sasho Dimitrievski, i punësuar në “Postë”.
Në “Postën 2” janë të punësuar rreth 300 njerëz, kurse në nivel të Maqedonisë rreth 2.100. Një postier në zonën qendrore ka nga 50 deri 70 dërgesa të rekomanduara dhe 400-500 të zakonshme. Të punësuarit nuk janë të shqetësuar vetëm për pagat, por edhe për ekzistencën e kompanisë.
“Arsyeja është vonesa në pagesën e rrogave. Pra, të gjithë e dimë se afati për dhënien e pagave është deri më datën 15, por sot jemi 20 dhe rrogat ende nuk u janë paguar të punësuarve. Mes të tjerësh, jemi të shqetësuar edhe për ekzistencën tonë dhe ruajtjen e vendeve tona të punës, gjegjësisht për ardhmërinë e kompanisë sonë”, tha Boro Veriginov, kryetar i Sindikatës së “Postës së Maqedonisë”.
“Si LSM do të dorëzojmë kërkesë të martën në seancën qeveritare me përfundim, duke pasur parasysh se jemi Shoqëri Aksionare në pronësi shtetërore, kryeministri t’u urdhërojë të gjithë ministrave t’i përdorin shërbimet e “Postës së Maqedonisë”. Nuk mund të angazhojë posta private, kurse posta kombëtare të cilën e ka shteti si servis i tij, të anashkalohet dhe të mos realizojë të ardhura”, tha Darko Dimovski, kryetar i LSM-së.
Në qoftë se deri në martën nuk merren vesh, kjo protestë paralajmëruese do të shndërrohet në protestë dhe do të dorëzohen vetëm dërgesat e rekomanduara nga MPB-ja, Gjykata dhe ARM-ja. Të punësuarit në “Postë” thonë se rritjen prej 3.000 denarëve që e morën para disa muajsh nuk e kanë ndjerë fare, shkaku i inflacionit.
Paga minimale në “Postë”, para rritjes në fjalë ishte 17.000 denarë dhe sërish është shumë më e ulët se pagat që marrin kolegët tanë në rajon, shpjegon Dimitrievski. Postierët në Serbi para një kohe të caktuar dolën në protestë, por megjithatë pagat e tyre janë më të larta në krahasim me të ardhurat mujore të postierëve tanë. Në Kosovë rrogat e postierëve arrijnë deri në 600 euro, kurse në Slloveni para disa vjetëve shpërndarësit e dërgesave merrnin rrogë 800-900 euro.
