Nga viti 2012 Posta e Maqedonisë punon me humbje në vlerë prej rreth 10 milionë eurove, prej të cilave 2,5 milion euro janë vetëm të vitit 2018, tregon raporti i fundit i Entit Shtetëror për Revizion.
E edhe përskaj kësaj gjendjeje, Bordi Mbikëqyrës i Postës ka miratuar lidhje të marrëveshjeve për sigurim menaxherial, gjë që sipas ligjit për Shoqëri Aksionare edhe kanë mundur të mos e bëjnë në kohë të gjendjes së përkeqësuar financiare.
“Por edhe përskaj kësaj, Bordi Mbikëqyrës ka miratuar lidhjen e marrëveshjeve dhe polisëve për sigurim në periudhën prej prillit 2018 deri në prill 2019. Nga ana e kompanisë së sigurimeve në bazë të kësaj është deponuar faturë me 2,76 milion denarë (rreth 45 mijë euro), që është paguar nga llogaria e Postës”, u tha nga Enti Shtetëror i Revizionit, raporti për revizion financiar për 2018-tën.
Raporti tregon se sigurimet menaxheriale janë përfshirë 7 drejtorë të Postës. I pyetur se pse janë nënshkruar marrëveshje të këtilla menaxheriale në kohë të vështira financiare për Shoqërinë Aksionare, Drejtori Gjeneral i Postës, Ejup Rrustemi, i cili postin e ka marrë në shtator 2018, tha për TV21 se nuk sheh shkelje ligjore në këto marrëveshje.
“Këto kontrata menaxheriale nuk i sjellë Këshilli Drejtues, ku unë jam kryetar, por e sjell Këshilli Mbikëqyrës dhe ajo lejon një kontratë të tillë. Prandaj nuk shoh shkelje ligjore dhe në raportin e Revizionit shënon se Këshilli Mbikëqyrës e lejon dhe duhet ta shikojë edhe një herë lejimin e një kontrate të këtillë menaxheriale, mirëpo ne paraprakisht një gjë të këtillë nuk e kemi nënshkruar dhe në fakt tani në vitin 2020 nuk kemi sigurim menaxherial”, tha Ejup Rrustemi, drejtor gjeneral i postave të RMV-së.
I pyetur se pse Posta në gjithë këto vite ka punuar me 10 milion euro humbje, Rrustemi tha se mund të flasë vetëm për periudhën që është në funksion, shtator 2018, e të cilën konsideron të mirë menaxhuar.
Ai tregon se në 2017 humbja 184 milionë denarë, në 2018 – 166 milionë denarë,ndërsa në 2019-tën, sipas Rustemit humbjet, janë zvogëluar në 65 milion denarë, pra për 100 milion më pak.
Viti 2020 do të jetë më i vështirë, e kjo për shkak të krizës që ka sjellë virusi korona. Drejtori gjeneral tregoi për TV21 se plani ka qenë që këtë vit posta të punojë me fitim, planifikimi ishte bërë që të kishte diku 25% rritje të komunikacionit ndërkombëtar, por këto për 3 muajt e fundit është zero.
