Ministria e Punëve të Brendshme njofton se në aksionin antibotox gjatë ditës së djeshme, janë arrestuar 14 persona, përcjell TV21. Sipas Policisë, aksioni është zhvilluar në Shkup, Strumicë dhe Manastir. Ndërsa janë ngritur kallëzime penale ndaj 19 personave fizikë dhe gjashtë personave juridikë.
“Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar sasi më të mëdha barnash dhe mjetesh mjekësore (filerë, botoks, hialuron), 39.285 euro, 2.490 franga zvicerane dhe 26.000 denarë, një automjet pasagjerësh i markës “Porsche”, sasi më e madhe parfumesh dhe deklarata për to, telefona celularë, substancë bimore dhe të tjera”, thonë nga MPB.
Në mesin e të arrestuarve ka mjekë, pronarë ordinancash dermatologjike dhe organizatorë të rrjetit të transportit dhe shitjes së produkteve të paligjshme.
“Sot (24.04.2026), Njësia për Krim Financiar pranë Sektorit për Hetime Kriminalistike në Departamentin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka paraqitur kallëzim penal kundër 19 personave fizikë dhe gjashtë personave juridikë, edhe atë: kundër N.A. (43), S.K. (46), A.K. (41), M.Gj. (47), Gj.S. (32), S.M.S. (31) dhe V.S. (49) për “cenim të të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” (neni 285 paragrafi 5 në lidhje me paragrafët 1 dhe 2 të Kodit Penal) dhe “bashkim kriminal” (neni 394 paragrafi 1 i Kodit Penal), kundër V.A. (61), R.T.Gj. (53) – bashkëpronare e një personi juridik nga Shkupi, N.K. (42) – e punësuar si mjeke në ISHP “8 Shtatori”, A.K. (45) – i punësuar si mjek në ISHP “8 Shtatori”, D.F. (44) – i punësuar në ISHP “Klinika Universitare për Dermatologji Shkup”, M.I.V. (38) – e punësuar si mjeke në ISHP “8 Shtatori”, A.T. (27), S.F. (36) – menaxher i një personi juridik nga Shkupi, K.A. (53) – menaxher i një personi juridik nga Manastiri, O.D. (65) – menaxher i një personi juridik nga Shkupi dhe S.A. (40) – menaxher i një personi juridik nga Shkupi për “cenim të të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” (neni 285 paragrafi 5 në lidhje me paragrafët 1 dhe 2) në lidhje me nenin 22 “bashkëkryerje” dhe “bashkim kriminal” (neni 394 paragrafi 2) të Kodit Penal, A.M. (38) për “marrje ryshfeti” (neni 357), “bashkim kriminal” (neni 394 paragrafi 2) dhe “cenim të të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” (neni 285 paragrafi 5 në lidhje me paragrafët 1 dhe 2) në lidhje me nenin 22 “bashkëkryerje” të Kodit Penal dhe kundër pesë personave juridikë nga Shkupi dhe një nga Manastiri për “cenim të të drejtave nga pronësia industriale dhe përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” (neni 285 paragrafi 6 në lidhje me paragrafët 1 dhe 2) të Kodit Penal”, theksojnë nga MPB.
Sipas hetimeve, rrjeti ka furnizuar produkte të falsifikuara nga jashtë dhe i ka përdorur për ndërhyrje estetike, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve, ndërsa një zyrtar doganor dyshohet se ka pranuar ryshfet për të lejuar hyrjen e mallrave pa kontroll.
“Gjatë vitit 2026, të denoncuarit N.A., S.K., A.K. dhe M.Gj. kanë krijuar një bashkim kriminal me fushë veprimi në Shkup dhe rrethinë, të cilit më pas i janë bashkuar V.A., A.M., R.T.Gj., duke përdorur një person juridik nga Shkupi, si dhe të denoncuarit Gj.S., S.M.S., V.S. si organizatorë të një bashkimi kriminal me fushë veprimi në Shkup dhe në Maqedoninë Lindore, të cilit më pas i janë bashkuar të denoncuarit N.K., A.K., D.F., M.I.V., A.T., S.F., K.A., O.D., duke përdorur persona juridikë nga Manastiri dhe Shkupi. Me qëllim për të përfituar dobi pasurore të kundërligjshme në përmasa të mëdha, kanë siguruar barna dhe mjete mjekësore të falsifikuara (botoks) nga Serbia, Koreja dhe Turqia. Këto barna dhe mjete mjekësore janë futur në mënyrë ilegale në territorin e shtetit tonë me qëllim që të depozitohen, shpërndahen dhe shiten, me ndihmën e anëtarëve të bashkimit kriminal, kryesisht mjekë me profesion, si dhe të përdoren – aplikohen te persona të tretë. Të denoncuarit, edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm dhe e kanë ditur se mallrat e siguruara paraqesin barna dhe mjete mjekësore, sipas Ligjit për barna dhe nuk janë importuar sipas rregullave të përcaktuara, si dhe se për to nuk është lëshuar udhëzim dhe deklaratë me miratim nga MALMED, kanë kryer ndërhyrje estetike, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën dhe shëndetin e njerëzve”, pohojnë nga MPB.
Policia shton se një person, A.M., në cilësinë e nëpunësit doganor, me qëllim për të përfituar për vete dobi pasurore të kundërligjshme dhe për t’u ndihmuar organizatorëve të denoncuar, ka pranuar ryshfet në dy raste për të kryer veprim zyrtar që nuk guxonte ta kryente, përkatësisht ka mundësuar hyrjen e mallrave ilegale pa u kryer kontroll doganor për dy kuti me barna që kanë arritur.











