Ndryshimet në Ligjin për Qeverinë me të cilat shfuqizohet qeveria teknike e kaluan filtrin e fundit në seancën e Komisionit Ligjvënës-Juridik. Si në diskutimin e djeshëm në Komisionin për Sistem Politik, ashtu edhe në atë të sotëm, u hodhën poshtë të gjitha amendamentet e paraqitura nga deputetët e Frontit Evropian. Sali Murat nga ky koalicion tha se me këtë përpjekje shkelen disa parime, dhe atë shfuqizimi pa konsensus, pa kushte të siguruara për zgjedhje të drejta dhe shfuqizimi i garancisë ndërkombëtare.
“Përfaqëson një tentativë të njëanshme, të shpejtë dhe të motivuar politikisht për realizimin e thelbit të garancisë demokratike pa konsensus, sepse këto gjëra janë miratuar me konsensus, pa konsultim ndërkombëtar, pa debat publik, pa bazë juridike”, tha Salih Murati, Fronti evropian.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, edhe sot me mesazh se qeveria teknike është miratuar me konsensus dhe kështu duhet të jenë edhe vendimet e mëtejshme. Ai konfirmoi se nëse pushteti vazhdon me procesin e shfuqizimit të saj, ata do të largohen nga grupi punues për Kodin Zgjedhor, dhe nuk përjashtoi që të merren edhe masa të tjera.
“Pse këmbëngulin të shfuqizohet Qeveria e Përzhinës nëse ajo është miratuar me konsensus në këtë mënyrë. Ne thamë se do ta lëmë së pari debatin dhe pjesëmarrjen në grupin punues për Ligjin Zgjedhor nëse ky ligj për qeverinë nuk tërhiqet. Më pas do të shohim si do të veprojmë më tej, por të gjitha mekanizmat demokratikë do t’i shfrytëzojmë”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM.
Kryeministri Hristijan Mickoski duket se nuk është i shqetësuar nga ultimatumi i Filipçes. Ai thotë se edhe pa ta, grupi punues për Kodin Zgjedhor mund të funksionojë.
“Nëse vendosin të largohen nga grupi punues që punon në Kodin e ri Zgjedhor, ky është vendimi i tyre. Njësoj siç ishte vendim të mos vijnë në takimin e fundit të liderëve. Nëse udhëheqja e LSDM-së ka vendosur ta izolojë partinë, është vendim i tyre. Nëse ata mendojnë se në atë mënyrë do të tërheqin vëmendje, do të rrisin mbështetje dhe votues, kjo është vendimi i tyre dhe unë nuk dua të përzihem, por grupi punues edhe pa LSDM ka kuorum për të punuar në pjesën e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Qeverinë, pasi kaluan filtrin në komision, duhet të vendosen në seancë plenare për miratim. Me këto ndryshime parashikohet shfuqizimi i qeverisë teknike, por jo në zgjedhjet e ardhshme, por në ato pas tyre, pra në zgjedhjet që do të vijojnë përsëri të ketë Qeveri të Përzhinës.
