Pollogu kërkon zgjatjen e pushimit dimëror/ “Shkollat të llogariten si objekte banimi, e jo si industriale”

TË FUNDIT

Komunat e rajonit të Pollogut kërkojnë që pushimi dimëror i nxënësve të zgjatë dy muaj, ndërsa  orët të kompensohen gjatë verës. Kjo ide u propozua nga kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari dhe u përkrah edhe nga kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami. Taravari thotë se ministria e Arsimit duhet të përkrahë këtë ide pasi që faturat në shkolla vijnë  tre herë më të larta.

 “Pasi që faturat vijnë tre katër herë më të larta se sa sezonin e kaluar, ideja është që muajt kur është më së ftohti, dhjetori, janari, shkurti mundësisht që të bëjmë një marrëveshje të gjithë komunat   dy muaj të jetë pushimi dimëror ose ta mendojmë idenë e pushimeve digjitale të cilët i kemi përdorur  gjatë kohës së pandemisë. Pse jo edhe tash që të kursejmë energji elektrike, ose pushimi nxënësve të jetë ose dhjetor janar ose janar shkurt, dhe viti shkollor të vazhdon deri më 30 qershor dhe të fillon me 15 gusht.”- deklaroi Arben Taravari – kryetar i komunës Gostivarit.

Taravari gjithashtu thotë që gjatë kohës së dimrit të shkurtohet orari në administratë, të jetë gjashtë orë pa pauzë.

 “Orarin e punës ta zvogëlojmë në gjashtë orë që të mos ketë pauza.  Për shkollat veç i kemi dhënë udhëzimet që palestrat sportive mos funksionojnë gjatë dimrit.  Orët e edukatës fizike të mbahen në mënyrë teorike në klasa, në korridore mos ketë nxehje  vetëm në klasa dhe kështu kemi kërkuar nga drejtorët që të kursejnë energji elektrike sa të munden.”- tha Arben Taravari – kryetar i komunës Gostivarit.

Nëntë komunat e rajonit të Pollogut do të propozojnë deri tek EVN Maqedoni që shkollat të mos llogariten objekte industriale, por të njëjtat të llogariten si objekte banimi. Njëjtë komunat kanë vendosur që gjatë kohës së dimrit të reduktojnë edhe ndriçimin publik.