Policia e Kosovës nis lëshimin e letrave qortuese për targat ilegale

TË FUNDIT

Policia e Kosovës është duke lëshuar letra qortuese për secilin shofer makine me targa të paligjshme serbe, që hyn apo del nga territori i Kosovës drejt Serbisë, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni.

Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të tilla, që i lëshon Serbia.

Llogaritet se janë rreth 10.000 automjete me targa që Kosova i konsideron të paligjshme dhe ato qarkullojnë kryesisht në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Plani i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e tyre me targa RKS, apo Republika e Kosovës, do të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri, i kundërshton ato dhe insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha të martën se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të situatës në Kosovë.

Ai tha se urdhër për këtë ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.

Vuçeviq nuk dha detaje se përse është marrë ky vendim dhe përse lidhet me situatën në Kosovë.

Ministria që udhëheq ai, nuk iu përgjigj as kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Gazetari i Radios Evropa e Lirë, Shkëlqim Hysenaj, raporton se situata në vendkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë, është e qetë dhe se ka pak qarkullim të makinave me targa të paligjshme serbe.

Sipas tij, përgjatë dy orëve, sa ka qëndruar ekipi i REL-it në këtë pikë, kufirin e kanë kaluar më pak se dhjetë makina.

Kur ka biseduar me disa qytetarë, ata kanë thënë se kanë paqartësi se si do të veprojnë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.

Disa prej tyre kanë thënë se do të shohin se çfarë do të bëjë shumica para se të vendosin nëse do t’i riregjistrojnë makinat me targa RKS ose jo.

Ka pasur edhe qytetarë që kanë thënë se do të vendosin varësisht prej qëndrimeve të Qeverisë së Serbisë për këtë çështje.

Sveçla bën thirrje për riregjistrim në RKS

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar në orët e hershme të së martës se Policia e Kosovës do të angazhohet nga 1 nëntori për lëshimin e letrave qortuese për pronarët e makinave me targa të paligjshme serbe.

Ai u ka bërë thirrje atyre që të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, për t’i regjistruar automjetet e tyre me targa RKS.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ’ĐA’, nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që t’i regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu ta përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook./REL