Po finalizohen koalicionet dhe listat/ Berisha: ASh s’ka tjetër vendim, pos atij që të garojë vetë në zgjedhje

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët edhe më tej nuk ka diskutuar dhe nuk ka një vendim ndryshe nga ai fillestar, se në zgjedhjet parlamentare do të garojë vetë dhe jo në koalicion. Kështu njoftoi anëtarja e kryesisë qendrore e ASH-së, Vjollcë Berisha. E ftuar në emisionin 10 minuta, ajo tha se periudhën e fundit ka patur shumë spekulime mbi Aleancën për Shqiptarët, por megjithatë, pohon se nuk ka asnjë kalkulim tjetër në parti përpos vendimit të fundit të kryesisë.

“Për Aleancën për Shqiptarët ndonëse ju keni dëgjuar gjëra të ndryshme dhe opinioni ka dëgjuar gjëra të ndryshme, ne deri në këtë moment kur flasim nuk është se kemi marrë një vendim tjetër përveç vendimit të fundit që e kemi pasur në parti nga kryesia e partisë që Aleanca do të garojë e vetme në këto zgjedhje. Natyrisht që e tillë është periudha, është kohë grupimesh, është kohë sa më shumë të forcohen blloqe të ndryshme politike por sinqerisht nuk mund të them diçka shtesë prej asaj që keni dëgjuar deri tani nga eksponentët politik se ne deri në këtë moment nuk kemi ndonjë tjetër kalkulim përveç vendimit që kemi marrë në kryesi”, shprehu Berisha.

E derisa kalkulimet për bashkëpunime po vazhdojnë, mësohet se fronti europian i kryesuar nga BDI dalëngadalë po i përafron qëndrimet me partitë më të vogla shqiptare, me PDSH-në, PDE-në, Lëvizjen Populli, por në lojë është edhe ASH, krahu i Selës. Këtij të fundit i është siguruar vendi i parë në listë në zonën e pestë zgjedhore ndërsa në nivel qendror, gjithsej mund të fitojë deri në tre deputetë.
Nga ana tjetër koalicioni VLEN edhe më tej nuk i bënë publike emrat e bartësve të listave. Sipas tyre, nuk janë të rëndësishme emrat por ideja dhe programi qeveritar.

“Më tepër na lidhë programi na lidhin idetë, na lidhë qeverisja e ardhshme në dobi të qytetarëve se sa emrat se kush do të qëndrojë në listat për deputetë”, tha Fari Hiseni, VLEN.

Sa i përket bllokut maqedonas, deri tani vetëm VMRO-DPMNE i ka bërë publike emrat e bartësve të listave. Siç njoftoi ditë më parë kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski, në zonën 1 do të kryesojë ai personalisht në listë, në zonën dy Vllado Misajllovski, në zonën tre Dragan Kovaçki, në zonën katër Aleksandar Nikolloski, në pesëshe ska vendim por spekulohet emri i Gjorgjija Sajkoski ndërsa në zonën gjashtë Dafina Stojanovska. Bartësi i zonës katër, Aleksandar Nikolloski, është i bindur në fitore dhe thotë se do të fitojnë më së shumti deputetë në krahasim me zonat tjera.

“E dini se para katër viteve erdha këtu që të garojë me Zoran Zaevin, nuk ishte e rastësishme ajo që erdha në zonën e katërt zgjedhore. Mendoj se është e ndershme edhe tani të jem bartës liste në njësinë e katërt zgjedhore sepse në këto katër vite së bashku me deputetët që janë pas meje, shkëlqyeshëm kemi luftuar për ata që jetojnë në NJZ4. Ajo që mund të them është se do të kemi fitore më të bindshme në ZZGJ4. Do të fitojmë më së shumti vota, më së shumti deputetë, jam i bindur”, është shprehur Nikolloski.

Nga ana tjetër LSDM ende nuk ka i ka publikuar emrat e bartësve të listave por atje flitet se në zonën 1 do të kryesojë Dimitar Kovaçevski, në zonën dy Sanja Llukarevska, në zonën tre Oliver Spasovski ose Lupço Nikollovski, në zonën katër Venko Filipçe, në zonën pesë, Jovan Mitrevski ndërsa në zonën gjashtë Sllavjanka Petrovska. Kjo e fundit në një intervistë për Lokalno, ka deklaruar se është e gatshme të jetë bartës liste nëse partia e propozon. LSDM pritet që listën zyrtare ta publikojë javën që vjen. Listat përfundimtare të gjitha partitë dhe koalicionet duhet t’i dorëzojnë më së voni më 2 prill.