Piter Van Hojte: Ende nuk ka marrëveshje për diasporën dhe KSHZ-në

TË FUNDIT

“Kjo nuk është lojë shahu. Partitë duhet të mësohen se kompromis do të thotë heqje dorë. Diçka jepni, diçka merrni. Nuk mund të merrni gjithçka”. Këtë, pas takimit të sotëm pasdite, në Klubin e Deputetëve, e deklaroi diplomati belg, Piter Van Hojte. Votimi i diasporës dhe përbërja e KShZ-së mbeten çështje të hapura. Hojte, megjithatë, është optimist se, edhe pse afatet janë shtyrë, do të arrihet marrëveshje.

“Mund të them se për pakon zgjedhore për pjesën më të madhe të pikave është arritur marrëveshje, përveç se për dy. E para është votimi i diasporës. Pika e dytë është mënyra e votimit në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, gjë që, po ashtu, është pjesë e rëndësishme e organizimit të zgjedhjeve. Ne propozojmë njëfarë mekanizmi këshillimor për t’iu shmangur bllokimit të sjelljes së vendimeve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, gjegjësisht mekanizëm, sipas të cilit duhet të bëhet konsultim para se të bihen vendime. Këtu anëtarët e Komisionit do të kishin rol kyç. Mendoj se kjo do të ishte e pranueshme për të gjitha partitë, po mbetet të shihet se a do të merren vesh partitë për këtë çështje”, deklaroi Hojte.