Piromani në Manastir për pak sa nuk dogji edhe veten/ A do të kërkojë ndihmë mjekësore? Policia heton!

TË FUNDIT

Erdhi nga ana e postës me biçikletë në rrugën Ruzveltova në Manastir. Arriti deri te qendra bullgare e kulturës Vanço Mihajllov. Çiklisti qëndroi përballë qendrës dhe me një bidon me benzinë spërkati derën e qendrës së kulturës. Në fund me shkrepës ia dha flakën, por për pak sa nuk e dogji edhe veten, pas çka me panik nisi të ikë nëpër “Shirok sokak”.  Kështu duket incizimi i kamerës së sigurisë të cilin e pa edhe ekipi i TV21. Për momentin incizimet nuk mund të publikohen për shkak të hetimit.

“Kjo qetësi pak u prish për shkak se flakët e zjarrit ishin të mëdha, ai u frikësua, supozoj se ka pësuar lëndime ose ka marrë djegie prej zjarrit. Ndoshta ky njeri do të kërkojë ndihmë mjekësore”- tha Teodora Gençovska, Mpj, Bullgaria.

Policia e Manastirit dje dhe sot me urdhër i ka marrë incizimet e kamerave të sigurisë të lokalëve që gjenden afër klubit. Qëllimi është që të gjendet momenti kur personi i panjohur do ta heqë maskën që të mund të identifikohet.

Kryetari i “Ivan Mihajllov” thotë se po frikësohen por se nuk do të ndalen me punë.

“Është normal  njeri të frikësohet, por kjo nuk do të thotë se do të ndalemi me punë. Përkundrazi, do të jemi edhe më shumë njerëz të Vanço Mihajllovit, bullgarë më të mëdhenj dhe do të luftojmë për idenë Maqedonia-Zvicra në Ballkanin ku edhe bullgarët do ta marrin vendin e tyre”- deklaroi Lupço Gjorgievski, Kryetar I Qendrës Së Kulturës “Ivan Mihajllov”, Manastir.

Hetimi po vazhdon, për momentin nuk dihet identiteti i kryerësit. Klubin vazhdimisht e siguron policia. Shoqata civile bullgare tashmë ofrojnë ndihmë për ta sanuar derën hyrëse të qendrës kulturore e cila u hap dy muaj më parë.