Pirlo thyen heshtjen: Nuk jam më kandidat për stolin e Italisë

TË FUNDIT

Andrea Pirlo ka konfirmuar se nuk do të jetë trajneri i ri i Kombëtares së Italisë, duke reaguar përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale pas ditëve të fundit të spekulimeve rreth emrit të tij. Trajneri i United FC në Emiratet e Bashkuara Arabe tha se kishte zgjedhur të mos komentonte deri tani, por vendosi të fliste pasi mësoi se nuk ishte më në garë për postin e përzgjedhësit të Italisë.

“Nga respekti për institucionet, Federatën dhe të gjithë personat e përfshirë, kam zgjedhur të hesht deri më tani, por pasi mësova mbrëmë se nuk jam më kandidat për pozicionin e trajnerit të ekipit kombëtar italian, e ndiej detyrën time të sqaroj disa aspekte”, shkroi Pirlo.

Ai shprehu keqardhje për debatin publik të krijuar rreth emrit të tij, duke theksuar se bashkëpunimi profesional që kishte ngjallur polemika ishte pjesë e punës së tij në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe kishte karakter ekskluzivisht komercial e sportiv. Sipas tij, përpjekjet për t’i dhënë këtij bashkëpunimi një dimension politik janë të pabazuara.

“T’i japësh këtij bashkëpunimi një kuptim politik do të thotë të më atribuosh bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk më përkasin mua”, u shpreh ai.

Pirlo falënderoi gjithashtu Paolo Maldinin dhe Leonardon për besimin dhe respektin që i kanë treguar, duke vlerësuar kontributin e tyre për futbollin italian. Në fund të reagimit të tij, ai theksoi se dashuria për Italinë mbetet e pandryshuar.

“Më vjen keq që një vendim sportiv u zvarrit shpejt në një debat publik që përfundoi duke më atribuar kuptime dhe qëllime që nuk janë të miat. Dashuria ime për Italinë nuk varet nga një pozicion. Është pjesë e historisë sime, identitetit tim dhe do të jetë gjithmonë me mua”, përfundoi Pirlo.