Pika e vaksinimit në Universitetin Kirili dhe Metodi, një mundësi shtesë që qytetarët dhe studentët të vaksinohen

TË FUNDIT

Ka katër ditë që në Fakultetin e Ekonomisë është hapur një pikë vaksinimi për studentët.

Doktoreshat po presin të rinjtë e interesuar për t’i vaksinuar për mbrojtje nga virusi korona, mirëpo përderisa ekipi ynë qëndroi aty nuk erdhi asnjë student për imunizim. Erdhën disa vajzave që u afruan tek dera dhe vetëm pyetën. Ndonëse kjo pikë është e hapur në kampusin e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, këtu mund të vaksinohen të gjithë qytetarët që kanë dëshirë, nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 2 pasdite.

 “Në pikën për vaksinim  që është hapur pranë Fakultetit të Ekonomisë mund të vijnë të gjithë studentët, edhe të Universiteteve tjera. Edhe të punësuarit por edhe qytetarët e tjerë që janë të interesuar për tu vaksinuar me dozën e parë”, raporton gazetarja e TV21, Almedina Ismajli.

Studentët për pikën e re të vaksinimit janë informuar mbrëmë nëpërmjet një e-mail adrese, por jo të gjithë e dinin se kanë mundësi që vaksinën kundër Covid-19 mund ta marrin në oborrin e fakultetit.

TV21: Ae dini se ka pikë vaksinimi këtu?

“Jo”.  

“Jo”.

“Po e di, më ka ardhur një e-mail”.

 “Po e di”.

TV21: A je vaksinuar?

“Jo ende”.

TV21: A e dini se këtu ka pikë për vaksinim?

“Po e dimë, jemi të informuar nëpërmjet e-mail adresës së UShKM”.

“Unë jam i vaksinuar. Mbrëmë kuptova se ka pikë për vaksinim këtu”.

Mjekja Angela Dimitrievska nga Poliklinika e studentëve vlerëson se interesimi është në nivel. Nuk kishin statistika se sa student deri tani janë vaksinuar, por tha se dhjetëra studentë në ditë vijnë për vaksinim.

 “Po ka interesim, rreth 10 studentë në ditë që qarkullojnë, shumica e tyre janë të vaksinuar nëpër vende tjera”, tha Angella Dimitrievska – mjeke e Poliklinikës së studentëve.

Deri tani në Maqedoninë e Veriut janë aplikuar gjithsej 1.397.773 doza të vaksinës.

Prej tyre, 761.579 janë aplikuar në pikat e vaksinimit nëpër shtet dhe në terren, kurse janë rivaksinuar 636.193 qytetarë.

Me numrat e fundit, 54% e popullsisë mbi 40 vjeç kanë pranuar së paku një dozë të vaksinës dhe 30% e popullsisë mbi 18-39 vjeç janë vaksinuar me së paku një dozë të vaksinës.