Peshkaqenët janë vendimtarë në rikuperimin e dëmit të shkaktuar nga rrethanat e jashtëzakonshme klimatike, ka treguar të hënën një studim i ri.
Konstatimi është rezultat i punës së një grupi shkencëtarësh, të cilët kanë përcaktuar rëndësinë e grabitqarit të oqeanit në një ekosistem unik, pas një vale të jashtëzakonshme të të nxehtit detar më 2011 që ka zhdukur rreth një çerek të barit më të madh të detit në botë në gjirin Shark Bay të Australisë.
Ekipi i ekspertëve nga Universiteti Ndërkombëtar i Floridës, Universiteti i Washingtonit dhe Universiteti i Deakinit në Australi e kanë pasur të ditur që nga një studim i mëhershëm se si peshkaqenët e llojit tigër i kanë mbrojtur barishtet në këtë gji, duke e ndryshuar sjelljen e dugongëve dhe breshkave, që kullosin në barin e detit, në metoda më pak shkatërruese të ushqyerjes. Ata donin ta dinin se çfarë do të ndodhte nëse nuk do të kishte peshkaqenë.
“Donim ta merrnim përgjigjen e pyetjes: a është e mundur që mungesa e grabitqarëve të mëdhenj t’i përkeqësojë efektet e ndryshimit klimatik?”, ka thënë Rob Nowicki, autori kryesor dhe studiues në Laboratorin Detar të Moteit, i cili e ka kryer studimin si student i studimeve të doktoratës. “A mund ta përkeqësojë një situatë veçse të rëndë?”
Pas valës së të nxehtit që e shkatërroi tendën e barit të detit, shumë prej dugongëve e braktisën përkohësisht gjirin, duke ia lënë skenën eksperimentit unik. Në studimin e publikuar në gazetën “Journal of Animal Ecology”, shkencëtarët e shpjegojnë se si e kanë përdorur një zonë të dëmtuar të gjirit si laborator, ku bari i detit që i ka rezistuar të nxehtit, ishte rritur.
Duke i përdorur llogaritjet e bazuara në shkallën e kullotjes së dugongëve, kur peshkaqenët mungojnë, ata ishin në gjendje ta imitonin shkallën e ushqyerjes në mënyrë artificiale. Zhytësit me mistri i riprodhuan strukturat e kullotjes së dugongëve, në mënyrë periodike duke gërmuar barin e ri të detit, një praktikë që shkencëtarët e kanë quajtur kopshtaria nënujore.
“Kjo na e mundësoi që ta imitojmë sjelljen që dugongët do ta kishin nëse peshkaqenët zhduken si me magji nga gjiri”, ka thënë Nowicki.
Ata kanë zbuluar se tenda më e rëndësishme dhe më e madhe e barit të detit nuk u rikuperua për shkak se po pengohej shumë shpesh nga kullotja e zhytësve. Studimi tregon se kur grabitqarët kryesorë largohen, jo vetëm që prishet struktura e ekosistemit, por edhe shkalla e kullotjes së barngrënësve e bën të pamundur rikuperimin.
Dr. Mike Heithaus, biolog detar në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës dhe bashkautor i studimit, që e ka studiuar gjirin për dy dekada, ka thënë: “Kur gjithçka shkon mirë, nuk mund ta kuptojmë se sa të rëndësishëm janë grabitqarët. Por kur gjërat shkojnë keq – sikurse një ngjarje klimatike – atëherë ky është momenti kur e kuptojmë rëndësinë e grabitqarëve.
“Peshkaqenët tigër janë duke e mbrojtur barin e detit nga kullotja. Bari i madh i detit nuk është ushqim i parapëlqyer nga dugongët, që është bari i vogël që vjen kur ka çrregullim. Por, e kemi zbuluar se bari më i madh i detit nuk rikthehet kur çrregullohet kaq shpesh nga kullotja”.
