Koha për futboll nuk është kthyer ende.
Gjithsesi, në Lindjen e Mesme kushedi lufta mund të përfundojë dhe Liga Profesioniste e Iranit mund të mendojë sërish për të dalë në fushë.
Një nga shqetësimet më të mëdha në vendin e madh është ai për lojtarët e huaj, të cilët u larguan pas nisjes së bombardimeve, dhe ndër të cilët është edhe Jasir Asani.
Klubi I tij, Esteglal, ka paralajmëruar shqiptarin dhe të tjerët se nuk duhet të mendojnë për të ndërprerë në mënyrë të njëanshme kontratat, duke përfituar nga situata.
Siç bëjnë të ditur mediat në Teheran, Esteglal, ka kërcënuar se nëse të huajt e ndërpresin kontratën, ata do të humbasin mundësinë të largohen me mirëkuptim në përfundim të luftimeve.
Klubi I kryeqytetit shprehet në komunikatë se si përgjigje, lojtarët do të paditen në FIFA dhe do të pezullohen.
Fjala është për futbollistë si Asani, Munir El Hadadi, Ashuarmatov etj.
Nga ana tjetër, vetë Asani ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga Esteglali, por mendon të kthehet në Irani sapo të krijohen kushtet.
Lojtari kuqezi shpreson që lufta të përfundojë sa më shpejt dhe vendi I madh t’i kthehet normalitetit.
Ai ka sqaruar për televizionin turk, TRT, se u ndodh në Teheran në momentin e nisjes së bombardimeve amerikane dhe izraelite dhe se u largua pas pak ditëve.
Asani po kalon një sezon shumë të mirë me 13 gola e 4 asistë në 29 ndeshje në total.
