12 prill 2016. Saktë para 5 vjetëve, vendimi i presidentit, Gjorge Ivanov që të amnistojë 56 politikanë dhe bashkëpunëtorë të tyre ishte arsye e mjaftueshme që të dalin në rrugë numër i madh i qytetarëve të revoltuar.
Disa orë pasi që Ivanov e kumtoi vendimin, protestuesit sulmuan Zyrën e Presidentit në qendër të Shkupit.
Pas këtij incidenti vijuan protesta me gjuajtjen e ngjyrave ndaj institucioneve shtetërore të cilat sipas masës kritike, sillnin vendime kriminele kundër qytetarëve. Ministria e drejtësisë, MPJ, Kuvendi, Ministria e financave, përmendoret e ndërtesave baroke nga projekti Shkupi 2014 u ngjyrosën me ngjyra. Por, a arriti dhe sa arriti revolucioni të sjellë liri dhe të fillojë me hapa konkret në departizimin e gjithë sistemit? Simona Spirovska, e cila ishte pjesë e Revolucionit laraman thotë se zhgënjim më i madh për të është ajo që kjo lëvizje nuk mbijetoi dhe nuk mbeti korrigjues i politikave qeveritare.
“Ky është zhgënjimi i vetëm. Unë mund të zhgënjehem prej nesh, unë nuk mund të zhgënjehem nga partitë për shkak se pres nga ne, se ne do të jemi këmbëngulës. Ja kjo na ndodhi. Pas pesë viteve me shumë gjasa më së tepërmi për këtë më vjen keq, më erdhi keq që nga momenti i parë kur u bë e qartë se kjo nuk do të ndodhë, se ne nuk do të jemi këmbëngulës. Kjo u bë e qartë menjëherë pas zgjedhjeve, menjëherë pas 27 prillit kjo ishte e qartë”, tha Simona Spirovska.
Spirovska vlerëson se pas përfundimit të protestave janë tradhtuar idealet për të cilat shumë njerëz që dilnin në rrugë angazhoheshin.
“Përfshirja e bashkëluftuesve tanë në pushtet në fillim dukej si ide e mirë, por kur filluan të tradhtojnë idealet dhe të ndodh që gjatë pushtetit të mëparshëm kam menduar dhe folur një gjë, e tani flas diçka tjetër për shkak se janë në pozitë dhe pushtet, ky është zhgënjim”, shtoi Simona Spirovska.
Një pjesë e madhe e atyre që merrnin pjesë në Revolucionin laraman, tani janë pjesë e ekzekutivit. TV21 kontaktoi me ish deputetin dhe anëtarin e Revolucionit laraman, Pavle Bogoevski. Por ai vlerëson se hyrja e disa individëve nga Revolucioni laraman në radhët e pushteti ekzekutiv, ligjvënës apo pushtetin lokal, nuk ka shkaktuar ulje të simpatisë ndaj Revolucionit laraman.
“Shkaktoi ulje të simpatisë ndaj personave që vendosën të hyjnë, por ishte e pritshme. Meritat dhe kritikat pas përfundimit të Revolucionit laraman duhet të jenë individuale, përkatësisht për rezultatet e punës së të gjithë njerëzve që nga rruga kanë hyrë në institucione nuk mund të vendosim kritika apo merita për gjithë Revolucionin laraman”, potencoi Pavle Bogoevski – ish-deputet.
Ndërsa se drejtësia plotësisht nuk është e kënaqur para një muaji në emisionin Klik Plus e konfirmoi edhe Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
“Isha bartës i listës së deputetëve në njësinë e parë zgjedhore dhe gjithë kohës kam folur se nuk do të ketë drejtësi nuk do të ketë paqe dhe ky ishte slogani i atij Revolucioni laraman. Por, ne i zhgënjyem këta njerëz dhe duhet të bartim përgjegjësi”, deklaroi Stevo Pendarovski – President i Maqedonisë së Veriut.
Sipas anketës së fundit të Qendrës për demokraci deliberative, pjesëmarrësit dhe mbështetësit e Revolucionit laraman tani i japin notë shumë të keqe Qeverisë së Zoran Zaevit. 58% e të anketuarve vlerësojnë se pjesëmarrësit e këtij revolucioni që kanë hyrë në Qeveri, nuk kanë kontribuuar fare për realizimin e reformave për të cilat kanë luftuar.
