Kështu duket pas rehabilitimit rruga magjistrale Shkup-Bllacë.
E për ta përuruar përfundimin e punimeve të 10km erdhën përfaqësues të shumtë të Qeverisë.
“E hyrja prej ku do të jetë?
Ja këtu lidhet me autostradën.”
Zv/kryeministri i parë Artan Grubi përveç funksionarëve i përshëndeti edhe aktivistët e opozitës shqiptare, të cilët i quajti fansa. Ata kishin ardhur për të ironizuar me pushtetin për vonesat e punimeve.
“Si është ajo, nuk është patjetër të më përshëndetësh vetëm të ma bësh me dorë.”
Grubi thotë se kjo Qeveri ka bërë revolucion të paparë në infrastrukturë.
“Është realizim rekord i një projekti të premtuar nga kjo Qeveri. Të gjitha projektet që i kemi nisur, si ky Shkup-Bllacë, rruga Qafë Thanë, rruga nga Manastiri deri në Mexhitli, siç ishte edhe rruga dje nga Kriva Pallanka në Deve Bair, siç ishte edhe Rruga e Arbërit nga fshati Burim deri në Dibër janë realizuar apo janë në përfundim të realizimit. Gjithashtu në përfundim të realizimit është edhe 2 km i famshëm Shkup-Bllacë, që brenda javësh gjithashtu do të kryhet me punimet dhe të vijohet me shpalljen e 10 km të ardhshme.”- deklaroi Artan Grubi – Zv/Kryeministër i Parë.
Deri sa u promovua kjo rrugë, dy kilometrat e para të autostradës ende nuk janë gati. Rrustemi thotë se të njëjtat do të lëshohen në pranverë ndërkaq e pranon se projektet infrastrukturore zgjasin shumë dhe kjo sipas tij ndodh për shkak se në fillim nuk parashihen problemet që mund të ndodhin dhe zakonisht projektohen dy-tre herë.
“Deri para një viti koncepti ishte filing i kuq, një herë të bëjmë projektin e më pas të zgjedhim kompaninë e ndërtimit, ndërsa tani me nënshkrimin e marrëveshjes me Bechtel dhe Enka, kemi filing të kombinuar, të modikfikuar, me atë që konsorciumi edhe do të projektojë edhe do të ndërtojë.”- tha Ejup Rrustemi – Drejtor I NP “Rrugët Shtetërore”.
Nga ana tjetër rinia e LEN po mbanin në duar pankarta me mbishkrime, “Boll mo”, “Marre 2 km 4 vjet”, etj. Ata kritikuan pushtetin që ende nuk anë përfunduar 2 km e para të autostradës dhe pyetën se kur do të përfundojë në tërësi kjo rrugë.
“Me 16 janar të vitit 2020 është nënshkruar kontrata për ndërtimin e 2 km të para të rrugës Shkup – Bllacë. Ky është ekzemplarë i projektit. Në kontratën e projektit afati për përfundimin e punimeve ndërtimore është 18 muaj, ndërsa vlera e të njëjtës është 14.5 milionë euro. Pas 48 muajve apo 4 vite, vlera e projektit ka arritur shumën marramendëse prej 30 milionë eurove dhe nuk dihet deri në përfundim kjo vlerë sa do të shkojë dhe nuk dihet as kur do të përfundojë”- akuzoi FATI ISENI – LEN.
Përndryshe rruga në gjatësi prej 10 kilometrave është tërësisht e rindërtuar me 3,8 milionë euro, të siguruara përmes programit të N.P. “Rrugët Shtetërore”.