Përplasjet për Ligjin për përfaqësim/ Venecia apo Kuvend – ku duhet të kalojë në fillim?

TË FUNDIT

Deklarata e djeshme e kryeministrit Hristijan Mickoski se ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat do të kalojë fillimisht në Qeveri dhe para se të votohet në Kuvend, do t’i dërgohet Komisionit të Venecias për mendim, e ka shqetësuar Aleancën për Shqiptarët të Taravarit. Thonë se përpjekja që ligji të dërgohet në vlerësim ndërkombëtar, para se të miratohet në parlament, është një praktikë e rrezikshme që mund të krijojë zbrazëti juridike, në një moment kur vendi ka nevojë për garanci të qarta për përfaqësim të drejtë të të gjitha komuniteteve.

“Aleanca për Shqiptarët kërkon me ngulm që Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të miratohet fillimisht në Kuvend dhe vetëm pas kësaj të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias. Vetëm në këtë mënyrë mund të shmangen vonesat e pafundme, të mbrohet barazia qytetare dhe të parandalohet keqpërdorimi politik i punësimeve në administratë”, deklaruan nga Aleanca për Shqiptarët – Taravari.

Bilall Kasami nga koalicioni VLEN garanton se Ligj për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat do të ketë dhe do të miratohet. Shtoi se që nga fillimi partitë politike në pushtet janë dakorduar që ligji fillimisht të shkojë në Komisionin e Venecias, për të mos pasur probleme si me Ligjin për Gjuhët në Kushtetuese.

“Për ne nuk është më e rëndësishmja, ashtu siç ka qenë fatkeqësisht në të kaluarën përvoja politike, nuk është më e rëndësishmja që ky ligj të miratohet para zgjedhjeve. Ne kemi premtuar që do të ketë Ligj për Përfaqësim Adekuat që nuk do të jetë i kontestueshëm nga Kushtetuta apo ligjet tjera dhe i njëjti do të jetë në shërbim të përfaqësimit të përfaqësimit adekuat, ashtu siç është përcaktuar me Kushtetutë”, vlerësoi Kasami.

Kryeministri Hristijan Mickoski dje bëri të ditur se Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat është përgatitur dhe pritet të miratohet së shpejti në një nga seancat e ardhshme të Qeverisë, pas çka do të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias – si filtër i fundit para se të kalojë në procedurë parlamentare.