Gjykata Administrative ia ktheu Komunës së Tetovës kompetencat për gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”.Për përgjegjësin e arsimit në komunë, ky vendim vërteton se Ministria e Arsimit në mënyrë të jashtëligjshme ia kish marrë kompetencat komunës.
“Gjykata Administrative në aktgjykimin e saj të qartë, të prerë dhe kategorik ka konstatuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për arsimin e mesëm, se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka marrë një vendim krejtësisht të pasaktë dhe të kundërligjshëm për heqjen e kompetencës të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami dhe se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka vazhduar fare me vërtetimin e fakteve dhe provave që do të përbënin bazë për marrjen e vendimit me të cilin kryetarit të komunës i është hequr kompetenca dhe kredencialet në lidhje me Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq””, tha Valedin Ademi, përgjegjës për arsim në komunën e Tetovës.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, thotë se ky vendim i Gjykatës Administrative duhet të shqyrtohet, sepse për një vit kjo gjykatë po sjell dy vendime të kundërta. Shtoi se për të njëjtën shkollë Ministria ka sjellë dy vendime, njëri prej të cilëve po ashtu ka qenë i ankimuar në Administrative dhe gjykata ka sjellë vendim pozitiv për Ministrinë.
“E dimë edhe faktin që pa dallim të marrjes së ingrerencave, gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” ka drejtoreshë të emërua dhe në bazë të ligjit për shkollat e mesme çdo emërim dhe shkarkim duhet të bëhet komfor ligjit për arsim të mesëm. Nëse në situatën konkrete përsëri vërtetohet se kemi shkelje të ligjit, sepse këtë vendimin që e kemi sjellë, nuk është në bazë të vendimit të MASH por në bazë të vlerësimit të Inspektoratit Arsimor, që ka konstatuar shkelje nga ana e Komunës në shumë procedura”, theksoi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Shaqiri paralajmëroi se çdo masë tjetër juridike do të varet nga veprimet që do t’i bëjë qoftë Komuna apo qoftë udhëheqësia e gjimnazit.
