Përplasje për tokën publike në Tetovë! BDI akuzon për shitje, komuna i hedh poshtë pretendimet

TË FUNDIT

BDI ka akuzuar Komunën e Tetovës dhe shumicën VMRO-VLEN në Këshillin Komunal për miratimin e programit për menaxhimin e tokës ndërtimore për vitin 2026, i cili sipas tyre parasheh shitjen e 21 parcelave me mbi 56 mijë metra katrorë tokë publike. Sipas Lindita Aliut nga BDI, në listë për shitje përfshihen edhe hapësira me rëndësi për qytetarët.

“Në këtë listë janë hapësira me rëndësi për qytetarët: Parkingu te Vero, hapësira te Qendra Sportive, toka prej 38.000m2 në Saraqinë për vetëm 61 denarë për metër katror, si dhe parcelat në Reçicë të Vogël, ku banorët prej vitesh kërkojnë çerdhe për fëmijët e tyre. Kjo që ata po mundohen të promovojnë si zhvillim ekonomik dhe menaxhim me tokën ndërtimore, paraqet në fakt grabitje e organizuar e pronës publike, dhe pasurim të individëve të afërt me pushtetin. Prona publike nuk është pronë personale e Bilall Kasamit dhe as e shumicës VMRO–VLEN. Ajo është pronë e qytetarëve të Tetovës”, tha Lindita Aliu – BDI.

Reagoi zëvendëskryetari i Tetovës, Albi Qamili. Duke radhitur shitjen e disa pronave në të kaluarën, tha se 1 euro për metër katror është simbol i epokës së Bajram Rexhepit dhe Teuta Arifit, dyshja që sipas tij, e shiti gjysmën e Tetovës me këtë çmim.

2019 – Shikellaku: 5,968 m² u shit për 29 mijë € (~5 €/m²). Vlera reale mbi 3.5 milion €.
2012 – Teteksi: 227,619 m² u shit për 1 milion € (<5 €/m²). Vlera reale mbi 91 milion €.
2010 – Edinstvo: 25,456 m² u shit për 90 mijë € (~3.5 €/m²). Vlera reale mbi 15 milion €.
2015 – Interprometi: 3,000 m² në qendër u shit për 15 mijë € (5 €/m²). Vlera reale mbi 3 milion €.
2012 – Alumina: 24,947 m² u shit për 120 mijë € (~5 €/m²). Vlera reale mbi 7.4 milion €.
2012 – Monopoli: 15,680 m² u shit për 111 mijë € (5 €/m²). Vlera reale mbi 12.5 milion €.

“Kjo histeri që po përpiqen ta krijojnë është e gjitha fluskul dhe propagandë artificiale. Komuna e Tetovës dhe të gjitha komunat tjera e kanë detyrim ligjor që ta miratojnë çdo vit programin vjetor për pronat publike. Edhe këtë vit ne e kaluam në këshill këtë program, si çdo vit tjetër, për 5 vjet me radhë. Kjo nuk do të thotë se të gjitha ato prona do të shiten, aq më pak me çmime prej 1 euro për metër katror, siç i shiste BDI-ja”, tha Albi Qamili – zëvendëskryetar i komunës së Tetovës.

Megjithatë, nga BDI Tetovë paralajmëruan se do të ndërmarrin edhe masa ligjore ndaj të gjithë atyre që keqpërdorin pozicionet publike dhe, që sipas tyre, marrin vendime në dëm të tetovarëve dhe janë shndërruar në tregtarë të pronës publike.